Dialogu

Lajçak: Pres që palët të vijnë me mendje të hapur në Bruksel

Takimi në Bruksel / Bislimi, Petkoviq dhe Lajçak

Takimi në Bruksel / Bislimi, Petkoviq dhe Lajçak / Ilustrim

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se në fund të javës do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh  për të diskutuar për “zgjidhjen” lidhur me dinarin. 

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lajçaku ka thënë se pret që të dyja palët të kenë qasje të orientuar drejt zgjidhjes. 

“Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”, ka shkruar ai. 

Më 4 prill, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, priti kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një rund tjetër diskutimesh për të adresuar implikimet e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme, për komunitetin serb të Kosovës. Ky ishte takimi i katërt për këtë temë në pesë javët e fundit. 

Meqenëse palët nuk mund të kapërcenin dallimet në propozimet e tyre, Lajçaku ka paraqitur idetë e tij mbi të cilat mund të bazohej një zgjidhje e përkohshme. 

Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar më herët se një zgjidhje e përhershme duhet të negociohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.