Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Berat Lahu, ka akuzuar zyrtarët e kësaj partie, Egzon Azemin dhe Gëzim Sveçlën se në Kuvendin Komunal të hënën bënë shfaqje të shëmtuar dhe inskenuan situatën. Ai ka deklaruar në “Interaktiv” të KTV-së se këta dy persona "po e dëmtojnë Vetëvendosjen", e sipas tij, po keqpërdoret edhe emri i kryeministrit Albin Kurti.
“Ajo që ngjau sot është shfaqje e shëmtuar dhe e inskenuar nga dy persona të rëndësishëm në Vetëvendosje. Gëzim Sveçla dhe Egzon Azemi. Inskenimi ishte se Azemi duke ditur se kamerat në sallë sot ishin rreth nesh, ai thotë se nëse jam shantazhuar duhet të tregojë. Ai aludon se jam shantazhuar për çfarëdo çështje. Unë thashë se nuk shantazhohem, mua më mbrojnë qëndrimet e mia”, ka thënë Lahu.
Zyrtari i VV-së ka theksuar se kishte vendosur muaj më parë që të qëndrojë prezent në sallë gjatë mbledhjeve të Kuvendit Komunal, pasi sipas tij, opsioni i Sveçlës për bojkot nuk është opsion.
Për çështjen e pronave rreth Badocit, Lahu ka shtuar se kanë mundësuar kuorumin për votim, por ai shtoi se kryeministri Kurti nuk ishte në dijeni se kjo pikë ka kaluar. Lahu komentoi edhe shkuljen e mikrofonit të kryesuesit të Kuvendit Komunal nga ana e Sveçlës.
“Shkulja e mikrofonit ishte si veprim për të krijuar asocimin kur VV-ja ka diçka të rëndësishme shkulet mikrofoni. Ky ishte aludimi, por Sveçla donte të mbulonte marren e tij për këmbimin e pronave në Badoc”, ka thënë ai.
Sipas Lahut, Komuna e Prishtinës do të dëmtohet me votimin pro tokave të Badocit, derisa tha se edhe ai ndihet përgjegjës pasi qëndroi prezent në sallë.
“Ne kemi mundësuar kalimin e atij parimi me qëndrimin tonë në sallë, por s'e kemi votuar. Edhe në atë mbledhje kemi thënë po mundësojmë kalimin e këtij vendimi...Në bisedën (e zhvilluar sot në Kuvend v.j.) them ‘në emër të Albin Kurtit’. Gëzim Sveçla përmend Albin Kurtin që të tjerët të bindemi që të qëndrojmë aty dhe të mundësojmë kuorumin. Kjo ka sjell thyerjen time të madhe dhe humbjen absolute të besimit në këtë strukturë. VV-ja në Prishtinë e këtu s'po flas për VV-në si tërësi, por për qendrën e Prishtinës që ka degraduar në gjendje që s'po e njoh më. Për rastin të mundësimit të kuorumit për pronat, e kam të konfirmuar se kryeministri Kurti s'ka qenë në dijeni për të votuar. Kurti e kupton disa ditë më vonë nëpërmjet njoftimit se në komunë ka ndodhur këmbimi si skandaloz. Kryesia qendrore analizon rastin, e kur shohin çka ka ndodhur jepet urdhri të anulohet”, ka deklaruar asamblisti i VV-së.
Ai ka theksuar se qendra e VV-së në Prishtinë ka degraduar edhe për faktin se “personat më tepër qëndrojnë në kafene se në zyrë”.
Për bisedën mes asamblistëve të VV-së që u publikua të hënën, Lahu ka shtuar se janë keqpërdorur deklarimet e tij mbi kryeministrin Albin Kurti.
“Aty u spekulua shumë...Aq shumë ka qenë insistimit i personave në fushatë për Prishtinën që ta fitojmë, ta udhëheqim sa edhe personalisht kryeministri Albin Kurti për të dhënë shembull ka thirr në telefon persona për t'u angazhuar më shumë”, u shpreh ai.