Banorët shqiptarë në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicën veriore thonë se lirinë e pavarësinë nuk i kanë sikurse pjesa tjetër e Kosovës.
Xhafer Brahimi gjatë vitit 1999 u dëbua me dhunë nga forcat serbe prej shtëpisë ku jetonte me familjen e tij.
Brahimi është ndër banorët e parë që është kthyer në “Kroin e Vitakut” në vitin 2005.
Thotë se nuk ndien ndonjë rrezik këtu .
Jetesa këtu, sipas tij, është e vështirë. Aty mungojnë dyqanet ushqimore e një qendër e mjekësisë familjare derisa shkolla e infrastruktura tjetër kanë nevojë për intervenim.
Ali Kadriu ishte përballur me rezistencë të fqinjëve serbë, të cilët e pengonin që të kthehej në shtëpinë e tij.
Megjithatë, ai thotë se nuk duhet dorëzuar duke kërkuar nga shqiptarët e tjerë që të kthehen.
Banorët serbë prapa kamerave kanë treguar se bashkëjetesa me komunitetin shqiptar nuk është problem, por telash i vetëm është politika.
Incidentet, sipas policisë, janë të pakta në këtë zonë.
Për Bekim Salihun nga Instituti GAP veriu ka mbetur vend joinstitucional.
Ai thotë se në krahasim me shqiptarët, serbët janë më të interesuar që të jetojnë në veri derisa shqiptarët rezistojnë.
Nga 1 janari, Ministria e Pushtetit Lokal ka hapur thirrjen për ndërtimin e rinovimin e shtëpive në veri.
Për këtë Qeveria ka ndarë 3 milionë euro. Qytetarët joshumicë të kësaj komune, që në këtë rast janë shqiptarët, mund të aplikojnë deri më 22 shkurt.
Pritet që fillimisht të rindërtohen 21 shtëpi dhe 4 shtëpi të tjera do të rinovohen.