Arbëri

Kuvendit i kërkohet rritje e transparencës

Kuvend

Foto: KP

Në konferencën “Transparenca parlamentare: Arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen”, të organizuar nga Forumi për transparencë, Kuvendit të Kosovës i është kërkuar rritje e transparencës. 
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se si anëtarë të Forumit kanë kritika në atë se çfarë mund të bëjë Kuvendi më shumë për t’u përmirësuar në transparencë.

“Seancat e kuvendit është pozitive që transmetohen live në televizionin publik. Por kur te vije fjala te komisionet ajo varet nga vullneti dhe jo gjithmonë munden me u pa live nga  publiku. Nëse flasim për kodin e sjelljes për deputetët ky është përfunduar megjithatë mbeten edhe disa elemente që pamundësuan miratimin e plotë të tij në Kuvend. Mbetet kërkesë që të miratohet në legjislaturën tjetër”, është shprehur Haxholli.

Ajo ka thënë se Kuvendi është mirë që ta rregullojë çështjen e lobimit, duke regjistruar takimet e deputetëve. 

Gjithashtu ka thënë se nevojitet që të organizohen edhe në shumë dëgjime publike.

“Kuvendi duhet të adresojë tutje edhe publikimin më të mirë të dokumenteve”, ka theksuar Haxholli.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili është edhe anëtarë i Forumit ka thënë se më herët janë organizuar më shumë dëgjime publike. 

“Ne dikur kemi organizuar më shumë dëgjime publike. Në të kaluarën kemi pas më shumë kontakte me grupe të interesit. Së fundmi ka një ngecje. Duhet që ato t’i shndërrojmë në traditën tonë ... nëse dikur i kemi pas si vlera”, ka deklaruar Selamnaj.

Ai ka thënë se është i interesuar që imazhi i politikanit të tjetërsohet. 

“Unë jam shumë i interesuar pavarësisht a jam pjesë e Kuvendit në legjislaturën e ardhshme apo jo jam i interesuar që imazhi i politikanit të tjetërsohet. Sot për fat të keq pozita e politikanit nuk e shohin me sy të mirë... është ndoshta pozita më e urryer. Kjo duhet të ndryshoj. Duhet pa pozitën e politikanit e deputetit si përgjegjësi më shumë se si privilegj.”, ka theksuar ai.

Arbëreshë Kryeziu, kryetare e Forumit ka deklaruar se “është bërë një punë të jashtëzakonshme pikërisht për ta bërë Kuvendin siç është sot”. Ne nuk jemi të kënaqur se kemi ende punë për të bërë. Kuvendi i Republikës sot është një ndër institucionet më të hapura, më i qasshëm dhe më transparenti”, ka deklaruar ajo.