Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar themelimin e komisionit parlamentar për procedurat e prokurorimeve të negociuara, pa publikim të njoftimit për kontratë në ministri dhe ndërmarrje publike.
Kjo seancë do të nisë në orën 10:00, derisa vazhdimi i seancës plenare do të mbahet në orën 12:00, ku është paraparë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.
Në mesin e tyre është votimi në lexim të dytë i projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, që në Kuvend pati nxitur debat të madh.
Disa deputetë të pushtetit janë deklaruar kundër këtij projektligji.
Në mesin e tyre është deputeti Burim Meta, që pati thënë në KTV se ky projektligj duhet të harmonizohet.