Arbëri

Kuvendi s’e ka miratuar asnjë nga projektligjet që Qeveria i planifikoi për 2024-tën

Përpos marrëveshjeve ndërkombëtare, asnjë projektligj i planifikuar i Qeverisë që të miratohet brenda këtij viti, nuk ka kaluar në Kuvend. Nga 73 projektligje që Qeveria ka shprehur synimin t’i përcjellë para deputetëve deri në fund të tetorit, deri tash i ka proceduar 13 sosh. Monitorues të punës së Kuvendit shprehën drojën se edhe projektligji për Buxhet mund të mos marrë mbështetjen e deputetëve në këtë legjislaturë.

Asnjë projektligj i planifikuar nga Qeveria për vitin 2024 nuk është miratuar në Kuvend, përveç marrëveshjeve ndërkombëtare, në ratifikimin e të cilave ka marrë pjesë edhe opozita.

Këtë vit, Qeveria i ka proceduar në Kuvend për trajtim gjithsej 28 projektligje, bashkë me marrëveshjet ndërkombëtare nga të cilat janë miratuar 12.

Nga 102 projektligjet e planit legjislativ, deri në fund të tetorit, ekzekutivi kishte synuar t’i miratonte në qeveri 73 prej tyre dhe t’i procedonte në kuvend.

“Në përgjithësi është përmbushur vetëm 11 për qind e agjendës. Nga mbi 100 ligje që janë prezantuar me planin legjislativ të Qeverisë kanë kaluar në Kuvend apo janë miratuar vetëm 12 projektligje dhe të gjitha këto janë marrëveshje ndërkombëtare. Pra, projektligje të tjera që rregullojnë fusha të ndryshme pothuajse fare nuk janë prekur", ka deklaruar Violeta Haxholli, menaxhere e projekteve në KDI.

E, Naim Jakaj, hulumtues në IKD, ka shtuar Kuvendi s'i ka proceduar as as një të tretën e projektligjeve.

“Nuk i ka proceduar për Kuvend as një të tretën e projektligjeve që i ka planifikuar për këtë vit, për këtë arsye e kemi konsideruar si mungesë të planifikimit, planifikim ambicioz, në ndërkohë edhe qeverisje e dobët, për shkak që nuk po mund ta përcjellë me projektligje, programin qeverisës dhe programin elektoral, mbi bazën e të cilit e ka marrë edhe votën e qytetarit të Kosovës., ka thënë ai.

Në mesin e pengesave pse projektligjet nuk i janë proceduar me kohë Kuvendit për trajtim, është edhe mos hartimi i tyre nga ana e ministrive.

Por, në asnjë prej 12 ministrive dhe as Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë kurrfarë shpjegimi pse nuk i kanë hartuar ose pse nuk u janë miratuar ligjet që i kanë në domen.

Aktivistë të shoqërisë civile që përcjellin punën e Kuvendit, nuk presin ngjallje të dinamikës vendimmarrëse dhe thonë se për fuqinë parlamentare që ka pasur pushteti, Qeveria ka mundur të jetë më efikase në ligjbërje.

“Kjo legjislaturë ndonëse ka miratuar gjithsej 254 ligje deri tash, ka pasur potencial që të miratojë edhe më shumë për shkak të kohëzgjatjes dhe fuqisë së numrave që kanë pasur në Kuvend. Po shihet që viti i fundit i kësaj legjislature ka rënë shumë në dinamikë”, ka shtuar Haxholli.

Jakaj është shprehur se s'beson se do të miratohen projektligjet që do të shkojnë në Kuvend.

“Dhjetëra projektligje tashmë që do të vijnë në Kuvend, që përbëjnë reformën në drejtësi, nuk besoj që do të arrijnë të miratohen, për shkak që tashmë edhe grupi më i madh parlamentar ka pësuar ndryshim të numrave, në fakt në zvogëlim të numrave, kur themi ndryshim tek numrat në ndërkohë edhe opozita ka deklaruar që nuk do të marrë pjesë në votim”.

Monitoruesit e punës së Kuvendit janë shprehur skeptikë se do të mund të miratohet edhe projektligji për buxhet për vitin 2025, që Ministria e Financave ka planifikuar ta kalojë në qeveri më 30 tetor dhe ta procedojë për votim para deputetëve.