Gjashtë ish-anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit janë kompensuar mesatarisht me nga 26 mijë euro nga Kuvendi, pas një vendimi të gjykatës. Kuvendi u detyrua që t’ua kompensonte rrogat e 12 vjetëve më parë, që nuk i kishin marrë me rritje prej 30 për qind
Afër 160 mijë euro është dëmtuar buxheti i Kuvendit të Kosovës në vitin 2023, për shkak të detyrimeve gjyqësore për t’i kompensuar në pagë gjashtë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Në 2008-n një konkurs i hapur nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të këtij këshilli ka përmbajtur edhe klauzolën me të cilën pozitat e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit do të ishin të barasvlershme me ato të gjyqtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Supreme.
Në vitin 2011, Qeveria mori vendim për rritje të pagave dhe në Ligjin për buxhet të miratuar në Kuvend nuk ishin përfshirë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Në një përgjigje për KOHËN, Kuvendi ka bërë të ditur se arsyeja e pagesës së 157 mijë eurove lidhet me këtë vendim të Qeverisë.
“Pagesa ka të bëjë me ekzekutimin e vendimit gjyqësor për kompensimin në pagë të ish-anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, të cilët nuk ishin përfshirë në rritjen e pagave për 30 për qind nga viti 2011, sipas pozitave referuese të sistemit gjyqësor”, thuhet në përgjigjen nga Kuvendi.
Në vlerën e 157 mijë eurove Kuvendi kompensoi ish-anëtarët: Naim Abazi dhe Sabile Avdyli me nga 28 mijë euro, Bajram Zogiani me mbi 27 mijë euro, Bisera Spahiu dhe Irena Svetiq-Ahmedi me nga 24 mijë euro dhe Bajram Ajeti me mbi 23 mijë euro.
Këta gjashtë anëtarë kishin bërë padi civile në gjykatë pas përfundimit të mandatit më 2013, por ekzekutimi i kompensimit të tyre u bë tek në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.
Në Kuvend nuk e komentuan se si institucioni që i harton ligjet ka mundësi t’i shkelë ato, që është vërtetuar me vendim gjykate.