Arbëri

Kuvendi pa shërbime të pastrimit e mirëmbajtjes, hapet rrugë për tender emergjent

Shërbimet e pastrimit dhe të mirëmbajtjes në Kuvend do të ndalen prej së premtes, pasi kompanisë që i kryen këto punë i ka përfunduar kontrata të enjten. Tenderi i shpallur për këto shërbime është anuluar, e njohës të prokurimit kanë thënë se mund të vazhdohet me tendera emergjentë, procedurë, për të cilën janë shprehur kritika se lë hapësirë për keqpërdorime

Nga e premtja, Kuvendi do të mbetet pa shërbime të pastrimit dhe të mirëmbajtjes higjienike, pasi kompanisë “Shafberger”, e cila i ka kryer këto punë, i ka skaduar të enjten kontrata.

Tenderin për angazhimin e një kompanie të mirëmbajtjes pas 14 nëntorit, Kuvendi e ka hapur në muajin gusht. Por, aty ka ofertuar vetëm kompania “Shafberger” dhe tek para dy javëve, Kuvendi e ka anuluar procedurën e prokurimit, me arsyetimin se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme. 

Në raste të tilla, kur përfundon një kontratë dhe nuk ka një tjetër të lidhur, njohës të prokurimit publik kanë bërë të ditur se zakonisht institucionet shfrytëzojnë procedurat me negocim, pa publikimin e njoftimit të kontratës.

Me këtë procedurë, Kuvendi mund të ftojë një apo disa operatorë që i zgjedh vetë, që të dorëzojnë oferta, pa u dhënë mundësi të tjerëve që të ofertojnë.

Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se për ta shmangur një kontratë të negociuar, Kuvendi është dashur shumë më herët që t’i hapë procedurat e tenderimit.

“Një tender për një kontratë që potencialisht skadon në nëntor është dashur më së largu të fillojë në mars, për t’i përmbushur të gjitha procedurat e prokurimit, të gjitha afatet që nëntori të mos na gjejë të papërgatitur... Pastaj vijmë në një situatë, ku ne i keqpërdorim procedurat e negociuara pa publikim, për shkak që kontratat emergjente jepen përmes kësaj procedure, favorizohen operatorë ekonomikë të caktuar”, ka thënë ajo.

Kuvendi të enjten nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen e KOHËS nëse e ka opsion dhënien e kontratës me negocim për mirëmbajtjen e ndërtesës.

Ligji për Prokurimin Publik parasheh përdorimin e kësaj procedure, në rastet e emergjencave ekstreme, por shtjellon se ato nuk mund të shfrytëzohen nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta të autoriteteve kontraktuese.

Kontrata të tilla mund të jepen për vite.

“Nuk ka afat, do të thotë mund të shfrytëzohet për tre muaj, mund të shfrytëzohet për gjashtë muaj, mund të shfrytëzohet për një vit apo mund të lidhet sikur në shumë raste edhe për tre vjet”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Me këtë procedurë, kompania “Schafberger” e pati marrë kontratën për mirëmbajtje nga Kuvendi në maj të këtij viti. Kjo kompani që të enjten e përfundon punën, në muajin tetor i ka paguar punëtorët teknikë të saj nën pagën minimale që e lejon ligji.

Në një përgjigje që Kuvendi ia ka ofruar KOHËS, thuhet se në kontratën e ardhshme për mirëmbajtje do të bëhet kujdes që punëtorët të paguhen mbi pagën minimale.

“Në respektim të Vendimit të Qeverisë për Pagën Minimale, në kontratën e re, pagesa mujore për punëtorët e mirëmbajtjes/pastrimit do të jetë së paku 400 euro”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.

Në Kuvend kanë thënë po ashtu se operatorit ekonomik që nga e enjtja i ka skaduar kontrata, i është dhënë vërejtje për mospërmbushjen e plotë të obligimeve kontraktuale dhe se e kanë njoftuar që për moskryerjen e shërbimeve të plota do t’i ndalen mjete financiare.