Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca do të takojë sot (e martë) kryetarët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend, për të nisur përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Takimi për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet në orën 12:00.

Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend.

Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë si dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë.

Gjatë ditës së hënë u bë e ditur se kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka ftuar për takim konsultativ kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në LDK kanë thënë se Abdixhiku do të shqyrtojë ftesën dhe më pas do t’i përgjigjen Kurtit.

Konjufca: Gjithçka gati për seancën konstituive, caktohen ulëset e partive

1 j. më parë / 8 pri 2025 12:49
Glauk Konjufca

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjithçka është gati për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike, Konjufca ka thënë se janë caktuar ulëset e partive dhe nuk ka dallime të mëdha krahasuar me legjislaturën e tetë.

“Kjo është natyrisht mbledhje që e sheh edhe rregullorja jonë. Në këtë mbledhje caktohen ulëset e partive politike.. e bashkë me ta e diskutova edhe skenarin e mbledhjes. Gjithçka shkoi mirë. U caktuan ulëset. Nuk ka ndryshim shumë të madh sa i përket ulëseve. Në mes ulet VV-ja. Dy krahët siç kanë qenë. AAK-ja do të ulët siç ka qenë e edhe pakicat. Dallimet janë të vogla me legjislaturën e tetë. Gjithçka shkoi mirë, përfundoi mbledhja”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit dhe se formimi i Qeverisë është i pamundur pa themelim të një koalicioni.

Sa i përket kryetarit të Kuvendit, VV-ja ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit, kjo edhe për arsye se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes mazhorancës i nënshtrohen principeve e njëra është përpjekja për të formuar qeverinë. Kur jemi te qeveria është e pamundur pa u themeluar një koalicion që është e aftë me zgjedh një qeveri të re.

Nis takimi i Konjufcës me subjektet politike

1 j. më parë / 8 pri 2025 12:30 Nga: Marigona Brahimi
Nis takimi i Konjufcës me subjektet politike

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur takimi i përbashkët mes kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe subjekteve politike.

Takimi u ftua nga Konjufca për organizimin e seancës konstituive më 15 prill.

Në takim po merr pjesë zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muharrem Nitaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputetë të pakicave, Fikrim Damka, Duda Balje e Nenad Rashiqi.

Seanca e 15 prillit do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në sallë, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari e Partisë Demokratike të Kosovës.