Arbëri

Kuvendi në “pauzë”, në mes të sesionit pranveror

Në dy javët e ardhshme Kuvendi nuk do të organizojë seancë, shkaku i punimeve në sallën plenare për ta riaktivizuar teknikën që mundëson votimin elektronik. Monitorues të punës së Kuvendit alarmuan se planifikimi i dobët mund t’i lë shumë ligje pa u miratuar, meqë nëse nuk kalojnë në sesionin pranveror, vështirë mund të votohen në vjeshtë, kur deputetët do të fokusohen në fushatë zgjedhore

Pas katër vjetësh, Kuvendi pritet ta rifunksionalizojë votimin elektronik nëpërmjet donacioneve.

Si rezultat i renovimeve për ta përmirësuar pjesën teknike në sallën e mbledhjeve plenare, të hënën pas takimit të kryesisë, është bërë e ditur se për dy javë rresht Kuvendi nuk do të mbajë seanca.

Deri në përfundim të sesionit pranveror, Kuvendit i kanë mbetur rreth dy muaj, ndërkaq në procedurë shqyrtimi ka 49 projektligje.

Monitorues të punës së Kuvendit e shohin me rëndësi funksionalizimin e pajisjeve të votimit, por vlerësojnë se nuk është bërë planifikim i mirë i punëve.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se është e domosdoshme që para sesionit vjeshtor deputetët t’i trajtojnë projektligjet që i kanë në procedurë.

“Kuvendi do të duhej që këta dy muajt e ardhshëm ta intensifikojë punën e vet në miratim të çështjeve që i ka në procedurë dhe jo të shkojë tashmë në këto tri javët e ardhshme në pushim për shkak të votimit elektronik. Normalisht që është gjë pozitive çështja që po mbërrihet tashmë që 4 vjet nuk është bërë votimi elektronik dhe pajisjet e tjera digjitale, por është dashur që kjo të bëhet në muajin gusht kur Kuvendi shkon në pushim”, ka thënë Jakaj.

E Tringa Dreshaj, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), numëron arsyet pse deputetët duhet t’i japin prioritet përmbushjes së agjendës legjislative, në mënyrë që projektligjet në shqyrtim të mos barten për në sesionin e ardhshëm.

“Kur flasim për sesionin vjeshtor të Kuvendit, veçse do të hyjmë në angazhimet më të mëdha sa i përket zgjedhjeve dhe angazhimit më të madh të deputetëve për fushatën zgjedhore, për shkak se vitin tjetër do të jenë zgjedhjet”, ka thënë Dreshaj.

Kuvendi në procedurë ka projektligje të patrajtuara që nga viti 2021, disa nga to me interes vital që kanë mbetur peng i votave të deputetëve serbë.