Kuvendi i Kosovës e ka larguar logon e re të përzgjedhur së fundmi pasi ka vërtetuar se ajo ka ngjashmëri me një logo tjetër, e sipas rregullores logoja e Kuvendit duhet të jetë krejtësisht unike.
Pasi u publikua ditë më parë, logoja e re nxiti reagime. Kryesia në një mbledhje ka konstatuar se e njëjta nuk duhet të këtë ngjashmëri me ndonjë logo tjetër, pavarësisht se logoja e përzgjedhur nga Juria profesionale nuk ka qenë identike me logon më të cilën është krahasuar.
“Ndërsa, pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit dhe operatorit ekonomik fitues, është konstatuar se logoja e përzgjedhur ka ngjashmëri me logon e krahasuar, pavarësisht se nuk janë identike. Të dy palët u pajtuan që Kuvendi i Kosovës duhet të këtë logo e cila nuk ka ngjashmëri me asnjë logo tjetër”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Operatori ekonomik do të kthejë paratë e pranuara nga Kuvendi si fitues për dizajnimin e logos.
Kryesia e Kuvendit më 3 mars të vitit të kaluar pati nxjerrë vendim dhe ka ngarkuar Administratën e Kuvendit që të ndërmarrë veprimet në lidhje me zhvillimin e procedurave për formën e logos së Kuvendit, si dhe ta njoftojë Kryesinë për hapat që duhet ndërmarrë në lidhje me këtë çështje. Kjo procedurë nga Kuvendi është zhvilluar për herë të parë. Pas planifikimit të mjeteve buxhetore për realizimin e aktivitetit të prokurimit, Kryesia më 12 shkurt të këtij viti ka nxjerr vendimin për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit në pajtim me Ligjin për prokurimin publik dhe i ka përcaktuar Kriteret/Specifikat lidhur me dizajnimin e logos.
Drejtoria për Prokurim më pas njoftimin për konkurs projektimi e ka proceduar dhe publikuar në e-Prokurim. Juria Profesionale/Komisioni ka vlerësuar më tej propozimet për logo nga aspekti përmbajtjesor në bazë të kritereve të thirrjes se hapur dhe ka vlerësuar se vetëm pjesëmarrësi në Konkurs projektimi me shifrën 2525, i ka plotësuar pikët e kërkuara nga Autoriteti Kontraktues dhe ka qenë i përgjegjshëm në aspektin administrativ dhe profesional.
Më 5 korrik Kuvendi i Kosovës e ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik fitues “Wave Partners”, Prishtinë.
Komisioni/Juria profesionale e ka përzgjedhur logon e Kuvendit, por sipas Rregullores se Kuvendit, autoritet final i cili vendos për përdorimin e logos së Kuvendit është Kryesia e Kuvendit, e cila edhe ka marrë vendimin për largimin e saj pesë ditë pas përzgjedhjes.
Operatori “Wave Partners” zyrtarisht është pajtua që të kthejë mjetet financiare të pranuara nga Kuvendi, si dhe ka kërkuar që të kthejë në pronësi të saj të drejtën e autorit të logos së propozuar.
Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë procedurën e re për përzgjedhjen e logos së Kuvendit.