Arbëri

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot pritet të zgjedhë kryesuesin

Sot, asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mblidhen për ta zgjedhur kryesuesin.

Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00. E kur kanë mbetur pak orë deri në mbajtjen e kësaj mbledhje, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në krye me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka arritur të bëjë koalicion me partitë tjera.

Kryetari i komunës vjen nga LDK-ja, mirëpo shumicën në Kuvend e ka Lëvizja Vetëvendosje.

LDK-së i duhet koalicioni me ndonjë parti opozitare për të zgjedhur kryesuesin. Kjo parti ka 14 asamblistë, ndërkohë që i duhen edhe 12 vota të tjera për kryesuesin.

VV-ja ka 17 asamblistë si parti fituese për Kuvend komunal.

Dega e VV-së në Prishtinë ka thënë se nuk do të propozojë kandidatin për kryesues dhe se mundësinë do t’ua kalojë subjekteve “që bashkërisht i fituan zgjedhjet”.

VV-ja ka thënë se s’do të jetë bllokuese e se do të qëndrojë në sallë gjatë votimit.

“Mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, edhe ashtu të vonuar, të Kuvendit Komunal”, thuhet në njoftim të VV-së në Prishtinë.

Më 7 dhjetor, Përparim Rama mori detyrën e kryetarit të Prishtinës nga ish-kryetari i Shpend Ahmeti dhe afati i fundit për të zgjedhur kryesuesin është dita e nesërme – 6 janar.