Arbëri

Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen me Italinë për njohjen e pensioneve

Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë

Është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet e shqiptarëve që jetojnë atje.

Marrëveshja kaloi të enjten me 92 vota pro dhe asnjë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. 

Marrëveshja për pensionet me Italinë është më e rëndësishmja deri më tani, për shkak të numrit shumë të madh të përfituesve. Shifrat që paraqiten zyrtarisht janë për të paktën 500 mijë shqiptarë, që jetojnë në Itali dhe disa mijëra italianë që jetojnë në Shqipëri, raportoi "TCH".

Një nga efektet e kësaj marrëveshje është edhe nxitja e mëtejshme e lëvizjes së popullsisë.

Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vjet punë, ndërsa për të dalë në pension në Shqipëri duhen minimalisht 15 vjet. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, emigrantët kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.

Ata që kanë 10 vjet punë në Shqipëri, e më pas kanë emigruar dhe bënë edhe 10 vjet punë në Itali, do përfitojnë pension. Do marrin dy pensione, i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet do paguajë sipas viteve të punës respektive.

Por nga kjo marrëveshje ka përfitime të tjera që dalin nga ligjet italianë. Për shembull në Itali aplikohet e ashtuquajtura (Quote 103), nëse emigrantët kanë 38 vite punë, duke bashkuar vitet në Shqipëri dhe Itali, dhe mosha e tij është 65, atëherë ai del në pension direkt.