Kuvendi i Kosovës i ka dhënë tender të negociuar kompanisë “Shafberger” - të cilës të enjten, 14 nëntor, i ka skaduar kontrata - për mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të objektit. Tenderi i është dhënë për gjashtë muaj.
Sipas tenderit të ri, pagat e punëtorëve do të jenë minimumi 400 euro.
Njëjtë kishte marrë tender të negociuar kjo kompani edhe herën e kaluar, në maj. Tenderin për angazhimin e një kompanie të mirëmbajtjes pas 14 nëntorit, Kuvendi i pati hapur në gusht, por aty ka ofertuar vetëm “Shafberger” dhe para dy javëve Kuvendi e ka anuluar procedurën e prokurimit, me arsyetimin se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme.
Në raste të tilla, kur përfundon një kontratë dhe nuk ka një tjetër të lidhur, institucionet shfrytëzojnë procedurat me negocim, pa publikimin e njoftimit të kontratës. Por, Kuvendi nuk i ishte përgjigjur KOHËS nëse e ka pasur opsion dhënien e kontratës me negocim për mirëmbajtjen e ndërtesës.
Ligji për Prokurimin Publik parasheh përdorimin e kësaj procedure, në rastet e emergjencave ekstreme, por shtjellon se ato nuk mund të shfrytëzohen nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta të autoriteteve kontraktuese.
“Schafberger” sa ishte me kontratën e kaluar, në tetor i ka paguar punëtorët teknikë të saj nën pagën minimale që e lejon ligji. Greva e punëtoreve teknike ka hyrë në muajin e tretë.