Përfaqësuesit e subjekteve që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë sërish, si para, si pas vazhdimit të seancës së mbajtur të hënën kanë kundërshtuar propozimin e LVV-së për kryetar të Kuvendit. Për PDK-në dhe AAK-në i papranueshëm është emri i Albulena Haxhiut, e për LDK-në i papranueshëm është cilido propozim që vjen nga LVV-ja. E partia që doli fituese e zgjedhjeve e cilëson qasjen e kundërshtarëve të saj si bllokuese. Madje, ky subjekt e lë të hapur mundësinë që nëse ka dakordim me të tjerët, pas konstituimit të Kuvendit, vendi të shkojë në zgjedhje të reja
Akuzat, kundërshtitë e kushtëzimet u shfaqën sërish në hollin e Kuvendit të Kosovës nga përfaqësues të partive politike, menjëherë pasi kryesuesi i seancës njoftoi për mbylljen e punimeve, 15 minuta pas nisjes së tyre. U përmend edhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Mbledhja e së hënës ishte e katërta që po mbahej çdo 48 orë, që nga 15 prilli. Përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca, i vetmi që doli në foltore, i njoftoi deputetët se ky subjekt mbetet mbrapa propozimit të mëparshëm që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Ai, duke iu referuar qëndrimit kundërshtues të subjekteve të tjera politike, përkatësisht pamundësisë që kandidatja Haxhiu të sigurojë 61 votat e nevojshme, propozoi që të nisë një raund konsultimesh mes subjekteve politike për tejkalimin e ngërçit. E kryesuesi i Kuvendit nuk e nxori fare në votim propozimin e LVV-së.
Teksa komentoi bllokadën, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të seancës theksoi se në rast se partitë vazhdojnë të mos e votojnë kandidaten Haxhiu, atëherë as Vetëvendosja nuk do të votojë për nënkryetarët e Kuvendit.
“Nuk e shohim këtë proces që duhet të merret si i mirëqenë, që domethënë: ‘Ju bëjini numrat për kryetarin e Kuvendit e mandej ju na i votoni kryetarët e Kuvendit’. Jo! Nëse dëshironi që të keni Kuvend të konstituuar, kryetarin e Kuvendit e votojmë bashkë, pastaj edhe nënkryetarët e Kuvendit i votojmë ne... Rregullorja e punës e Kuvendit nuk e thotë domosdo se ata votohen në pako e thotë që të votohen dhe pastaj si procedurë është aplikuar deri më tani. Por, e ndërrojmë atë procedurë – ta shohim se si po i bëjnë votat për nënkryetarët individualisht”, tha Kusari-Lila.
Lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Kusari-Lila tha se para se të ketë konsultime mes partive, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi.
“Ne nuk e kemi asnjë qëllim që ta bllokojmë formimin e Kuvendit, gjegjësisht konstituimin e lidershipit, kryetares, nënkryetarëve të Republikës, por me këto qasje të cilat në mënyrën se si tregohen ose si po barrikadohen nga partitë e tjera parlamentare, me të vërtetë duhet të dakordohemi në një temë tjetër: t’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota e shpërndajmë menjëherë Kuvendin dhe shkojmë me zgjedhje të tjera”, u shpreh Kusari-Lila.
E për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga LVV-ja që ta ndryshojë emrin e propozuar për kryetar të Kuvendit. Ai tha se LVV-ja duhet të provojë emra të rinj, mirëpo nuk dha propozim se kë do ta votonte partia që ai e udhëheq.
“Rrugëdalja është e qartë, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta zgjedhë një kandidat tjetër dhe mos ta lërë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për çfarëdo teke. Kandidatja Haxhiu nuk do ta këtë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Deharit, e deri tek ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, ka deklaruar Krasniqi.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e përsëriti qëndrimin se subjekti i saj do të votojë kundër çdo kandidati të LVV-së, tek theksoi se zgjedhja e kryetarit dallon prej asaj të nënkryetarëve të Kuvendit.
“Paralelja që po e tërheq edhe z. Konjufca si me rastin e kryetarëve e edhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk është aspak e saktë, sepse kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkohë që nënkryetarët janë përfaqësues të grupeve politike dhe kjo është arsyeja pse ata votohen në pako. Kryetari është përfaqësues i Kuvendit... gjithashtu kërkojnë nga deputetët që ata të votojnë sipas vullnetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo sipas vullnetit të tyre, kjo veç vullnet për marrëveshje politike nuk është”, tha Bajrami.
E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi që për dalje nga situata e tashme të propozohet një emër tjetër për kryeparlamentar.
“Edhe në të kaluarën ka pasur negocim për kryeparlamentar. Nëse duhet vota e opozitës që ka ndodhur për të bashkëvotuar gjithë parlamenti për kryetarin, ka logjikë për të diskutuar me opozitën edhe kandidati. Një kandidat më konsensual se Haxhiu. Ne kemi dhënë disa mendime, po të ishte ndonjë kandidat tjetër për ta votuar. Jemi të hapur nëse opozita dhe partitë e tjera dëshirojmë të gjejnë një rrugë për të kaluar përtej konstituimit të Kuvendit”, tha Haradinaj.
Ndryshe nga përfaqësuesit e partive të tjera, kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj, shprehu pritje për përafrim qëndrimesh drejt formimit të institucioneve.
“Duhet gjetur një rrugë për të ecur tutje. Besoj se ishte qëndrim korrekt. Në fund të fundit, kjo është mënyra e funksionimit. Kosova duhet t’i ketë institucionet. Shpresoj nga sot të bëhen përpjekje për t’u afruar dhe të jepet shansi për formimin e institucioneve”, tha Limaj.
Seanca e së hënës ishte vazhdimi i asaj që nisi më 15 prill. E para, dhe e dyta që u mbajt dy ditë më pas (17 prill), nuk prodhuan asnjë veprim formal, meqë subjektet që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë (PDK, AAK dhe LDK) nuk pranuan ta votojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Ata kontestuan formën e dorëheqjes së kabinetit të Qeverisë Kurti, përkatësisht e vlerësonin shkelje të qenit edhe deputetë, edhe kryeministër e ministër. Tek në përpjekjen e tretë, më 19 prill, të zgjedhurit votuan raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.
Vazhdimi i seancës duhet të mbahet brenda 48 orëve. Në procedurë është votimi i kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Nëse nuk ka pajtueshmëri mes partive për t’i dhënë fund këtij procesi, seancat çdo 48 orë mund të thirren në pafundësi, meqë nuk ka afat të kufizuar kushtetues për konstituimin e Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së trupave të saj.