Kuvendi i Kosovës të enjten hapi dyert për bashkatdhetarë, që këtë vit nuk patën mundësi ta vizitojnë edhe sallën ku mbahen seancat plenare, pasi ajo po rinovohet. Por nga ato hapësira që iu lejua mërgimtarëve të shohin nga afër funksionimin e institucionit legjislativ, dërguan porosi për deputetët e kësaj legjislature
Tek shikonte fotografitë e ngjarjeve më të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, Hazir Selmanit nga Zvicra, i rrodhën lotët.
Ai të enjten vizitoi godinën e legjislativit, që hapi edhe sivjet dyert për bashkatdhetarët.
Selmani është shprehur se emocionohet kur i mendon sakrificat e bëra që Kosova t’i ketë institucionet e veta.
“Të them të drejtën unë kisha emocione edhe tash kam emocione, sepse mezi kemi pritur të kemi një parlament, është bërë një sakrificë tepër e madhe për ta pasur lirinë dhe për të jetuar populli i Kosovës si shtetet e tjera, në demokraci”, ka thënë Selmani.
E, Bedrije Oruglica Ramoviq, ka deklaruar se arsye kryesore për vizitën në Kuvend është vajza e saj.
“Arsyeja që sot jemi ardhur ta vizitojmë Kuvendin e Kosovës është vajza ime 5 vjeçare, e cila është shumë e interesuar për vendet këtu në Kosovë, jam një nënë që i flas shumë për Kosovën edhe është shumë e interesuar”, ka thënë ajo.
Shyqyri Demaku, me origjinë nga Abria e Ulët, por që jeton në Suedi, ka theksuar se deputetët e tij të preferuar ishin ata të tri legjislaturave të para. E për përfaqësuesit e tashëm, pati një porosi.
“Duhet ta ndërrojnë politikanët e Kosovës, politikën. Duhet ta dëgjojnë Evropën, Amerikën, jo jam i fortë. Nuk ka të fortë sot, i forti ka vdekur moti. Sot është vetëm mirësia puna dhe vullneti për të punuar për vendin tënd”, ka thënë Demaku.
Drejtori i Drejtorisë për Media dhe Komunikim me Publikun në Kuvend, Musli Krasniqi, ka deklaruar se numri i vizitorëve gjatë dy ditëve të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend” është rreth 400.
Por, këtë vit sipas tij, atraksioni kryesor nuk është i disponueshëm për vizitorët.
“Sivjet ka një përjashtim, fatkeqësisht, salla plenare që është hapësira më me interes për ta nuk është në dispozicion të vizitorëve për shkak të punimeve që realizohen aty. Megjithatë, kjo nuk ishte një arsye për të ndërprerë aktivitetin, për të mos e zhvilluar sivjet”, ka thënë Krasniqi.
Vizitorët u pritën edhe nga disa deputetë, e zyrtarë të Kuvendit, të cilët morën edhe rolin e ciceronit në aktivitetin që do të zhvillohet edhe të premten.