Legjislatura e tetë e Kuvendit e mbylli sesionin vjeshtor duke i lënë në procedurë 41 projektligje. Prej tyre, 39 rrezikojnë të kthehen në pikën zero, po qe se Kuvendi nuk mblidhet vitin e ardhshëm shkaku i fushatës zgjedhore. E punën gati 4-vjeçare të deputetëve e kritikuan monitorues të Kuvendit, që shprehën vërejtje për mungesën e shpeshtë të kuorumit dhe të bashkëpunimit politik pushtet-opozitë
Janë 41 projektligje që i kanë mbetur të papërfunduara të legjislaturës së tetë të Kuvendit, që sesionin vjeshtor e mbylli me seancën plenare të 5 dhjetorit.
Në procedurë mbetën 9 marrëveshje ndërkombëtare, 2 nisma qytetare, 3 iniciativa ligjore të deputetëve e 27 projektligje të propozuara nga Qeveria.
Krahas peticioneve, 39 projektligjet mund të kthehen në pikën zero, po qe se legjislatura aktuale e Kuvendit nuk mblidhet për seancë deri në përfundimin e mandatit.
Në listën e projektligjeve të pashqyrtuara janë edhe disa të vitit 2021, përfshirë atë për festa zyrtare, te i cili ndryshimet nuk mundën të bëheshin shkaku i bojkotit të Listës Serbe. Prej tre vjetësh pa trajtim mbeti edhe peticioni i 10 mijë e 200 qytetarëve për faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë, pasi nuk pati dakordim që prezantimi i dokumentit ligjor të bëhet nga iniciuesi – Partia Socialdemokrate.
E në janar bëhen dy vjet që miratim nuk mori as projektligji i sponsorizuar nga Qeveria për IVF-in. Për të kundërshtim patën numër i konsiderueshëm i deputetëve të pushtetit, e ata të opozitës nuk morën pjesë në votim.
Që nga viti 2023, pa shqyrtim në të dy leximet mbeti projektligji për gjendjen civile, pasi u shprehën kundërshti veçmas për nenin 36, që e lejon ndërrimin e gjinisë. Gjatë gjithë vitit, Parlamenti u dha miratim 64 ligjeve.
Për këtë, Blerina Istrefi, monitoruese e punës së Kuvendit nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ka shprehur kritikë për deputetët.
“Debatet politike që janë zhvilluar brenda Kuvendit e kemi parë që janë më tepër në interes politik, sesa në interes të Kuvendit dhe punës së Kuvendit... Ka pasur mungesë bashkëpunimi. Nëse bashkëpunimi do të ishte më i mirëfilltë do ta kishim pasur një rezultat shumë më të mirë të Kuvendit në këtë periudhë që gjendemi tani në fundvit. Por, ka munguar një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të opozitës dhe pozitës”, ka thënë Istrefi.
E Naim Jakaj, monitorues i Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Legjislativi çaloi në kryerjen me sukses të funksioneve.
“Kuvendi nuk arriti t’i kryejë disa detyra kushtetuese, si ajo legjislative, mbikëqyrëse, përfaqësuese dhe zgjedhore. Kemi parë se si dhjetëra ligje janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të shkeljeve kushtetuese. Në anën tjetër, mbikëqyrje e dobët e Kuvendit ndaj Qeverisë, ku opozita nuk ka arritur në mënyrë të mirë t’i përdorë instrumentet parlamentare për mbikëqyrjen e Qeverisë. Pastaj edhe Qeveria e ka injoruar Kuvendit. Gjithashtu, kemi parë se si Kuvendi për 2-3 vjet rresht s’ka arritur t’i zgjedhë me dhjetëra organe kolegjiale, borde dhe kryesues të institucioneve të pavarura”, ka thënë Jakaj.
Në 4 vjet punë, deputetët miratuan 282 ligje. Kjo është legjislatura e parë me mandat të plotë e me më së shumti ligje të nxjerra.