Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se të hënën e ardhshme është vendosur të mbahet seanca në të cilën do të diskutohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Gashi ka thënë pas mbledhjes së kryesisë të hënën, se do të jetë një seancë dinamike.
“U vendos qe ditën e hënë të jetë një seancë, diskutimi i buxhetit të Republikës. Do të jetë një seancë dinamike që e ka një fokus të veçantë. Vendimmarrja në Kuvend vazhdon të jetë e vështirësuar. Ne si grup parlamentar i LDK-së do të jemi prezent. Java e ardhshme do të jetë përcaktuese në mënyrën se si do te shihet buxheti i ardhshëm”, është shprehur Gashi.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk do ta votojë buxhetin.
“Jo, ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtjet tona, propozimet tona dhe nëse ato merren në konsideratë atëherë do ta shohim si mundësi. Ky buxhet i ka edhe dy probleme ligjore dhe kushtetuese të cilat LVV-ja ose Qeveria e Kosovës në fakt i ka propozuar gabimisht. E para ka të bëjë me ndërhyrja e buxhetit të shtetit në Ligjin për Pagat për Sektorin Publik. Pra, tentojnë që me një ligj të karakterit vjetor, se ju e dini që buxheti ka fuqi vjetore, hyn me 1 janar dhe përfundon me 31 dhjetor të çdo vitit në fuqi, të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për Pagat e Sektorit Publik. Ndërhyrja e dytë e këtij ligji, pra e Ligjit të Buxhetit është që tentojnë të bëjnë këta në ligjin për pronën e paluajtshme është e njëjta vlen sepse në ligjin specifik ndërhyhet me një ligj të karakterit të përkohshëm. Të dyja këto janë shkelje ligjore, te dyja ligjet i kanë bërë këta, te dyja i ka bërë dhe i ka bërë gabim dhe tashmë mundohet me i ndryshu me një ligj tjetër që ka karakter të përkohshëm, që është ligi për buxhetin dhe është ndërhyrje skandaloze në sistemin ligjor të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se buxheti i vitit të ardhshëm e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik.
Tahiri ka thënë se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.
"Buxheti i kësaj qeverie, është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ja ka varros shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjitetshmme është buxhet i cili realisht nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet i cili nga ne do të kundërshtohet fuqishëm dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm. E mira e kësaj pune është që me 9 shkurt janë zgjedhjet, pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo qeveri duhet të rishikojë në plotni këtë buxhet", ka thënë Tahiri.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur përmes shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, se nuk do ta votojnë buxhetin e vitit 2025.
Tahiri ka shkruar të hënën në Facebook se janë të bindur që Kosova mundet më mirë.
“Sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u caktua që ditën e hënë me 11 nëntor, të sillet për miratim buxheti për vitin 2025. Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka shkruar Tahiri.
Ndërkaq shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ata e kanë shumicën parlamentare dhe se sa i përket deklarimit të opozitës se nuk do ta votojnë buxhetin, ka thënë se është çështje e vendimmarrjes së tyre.
“Ne e kemi shumicën parlamentare. Për opozitën s’kam çfarë të them. Është çështje e vendimmarrjes së tyre. Qëndrimin e grupit parlamentar të VV-së mund ta dëgjoni në seancë”, është shprehur ajo.
