Arbëri

Kushtëzimi i ushtarëve

Ministria e Mbrojtjes ka draftuar kontratat e reja për shkollimin e kadetëve të Forcës së Sigurisë, me të cilat parashihen ndëshkime financiare për ata që  e braktisin ushtrinë pa shërbyer në të së paku 8 vjet rresht. Me ndëshkime parashihet të përballen edhe kadetët që nuk tregohen të suksesshëm.

Detyrimi për kohëzgjatjen e shërbimit në ushtri është përfshirë në nenin 6 të kontratës, e cila ndodhet si aneks në Projektudhëzimin administrativ për arsimim, stërvitje, trajnim dhe zhvillim të pjesëtarëve të FSK-së.

“Pas përfundimit me sukses të shkollimit dhe sipas kësaj kontrate, kadeti nënshkruan kontratën për shërbim në FSK, emëruar në gradën e nëntogerit dhe është i obliguar që të shërbejë si oficer aktiv i FSK-së (ose organizatës pasardhëse) pandërprerë për tetë (8) vjet”, thuhet në kontratën për shkollimin e kadetëve të FSK-së.

Sipas dokumentit, nëse kadeti nuk e përmbush këtë detyrim, do të obligohet t’i kthejë të gjitha mjetet financiare me qëllim të kompensimit të dëmit që i ka sjellë FSK-së për investimin e bërë nga FSK-ja apo mjetet financiare të siguruara nga partnerët dypalësh.

Ndëshkimi financiar parashihet edhe për kadetët që shkëpusin kontratën për shkollim, e edhe për ata që dështojnë ta përfundojnë me sukses shkollimin dhe programin e qendrës përkatëse.

Sipas draftkontratës, kthimi i mjeteve do të përcaktohet duke llogaritur kohën e qëndrimit në shërbim.

“Mjetet financiare të investuara/siguruara nga FSK-ja për shkollimin e kadetit do të përllogariten bazuar në shpenzimet/tarifat që institucionet shkollore kërkojnë për shkollim dhe shpenzimet e tjera si në nenin 1 të kësaj kontrate; shuma e mjeteve do të përcaktohet nga komision i FSK-së i caktuar nga  komandanti i FSK-së”, thuhet tutje në kontratë.

Si shpenzime të FSK-së që kadeti do të obligohet t’i kthejë janë: paga mujore, pagesa e shkollimit që kërkohet nga universiteti përkatës, kostoja e sigurimit të literaturës, si dhe kostoja e akomodimit, ushqimit dhe uniformës zyrtare.

Detyrimi për kthim të shpenzimeve do të vlejë edhe për kadetët që shkollohen jashtë Kosovës. Për ta do të vlejë kushtëzimi për shërbim të pandërprerë në FSK në kohëzgjatje prej 6 vjetësh e 4 muaj.

Vetëm vitin e shkuar vullnetarisht kanë ndërprerë shërbimin ushtarak 129 pjesëtarë të FSK-së.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar draftin e një udhëzimi administrativ që përcakton arsimimin, stërvitjen, trajnimin dhe autoritetet për përzgjedhjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë për këto aktivitete.

Në dokument përshkruhen edhe detyrat e përbashkëta themelore, me të cilat njësitë aftësohen për të përmbushur me sukses misionin gjatë operacioneve luftarake.

Në mesin e kurseve përgatitore është edhe ai për prijësit në luftë.

“Kursi i Liderit Luftarak zhvillon elementet themelore të personalitetit të rreshterit si drejtues në rol të udhëheqësit të ekipit/skuadrës dhe detyra të njehsuara me to, zotërues i teknikave të detyrës dhe ndihmës kryesor për stërvitjen e ekipit/skuadrës, si dhe zhvillon aftësitë komunikuese dhe drejtuese”, thuhet në draft.

Sipas dokumentit, kursit të Liderit Luftarak mund t’i nënshtrohen pjesëtarët e FSK-së me gradën tetar ose specialist.