Arbëri

Kushtetuesja rrëzon disa nene të Ligjit për KPMSHCK-në

Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese të enjten ka rrëzuar nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil, i cili u dërgua për shqyrtim nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar se nenet 2, 7 dhe 8 të këtij Ligji nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] “në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës]”.

Neni 6 i Ligjit të kontestuar, sipas Kushtetueses, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil].

“Nenet 9, 10 dhe 11 nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Kushtetuesja ia ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ligjin për dekretim “sipas modaliteteve të përcaktuara në aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar”.

Ligji për këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil ishte miratuar në Kuvend gjatë vitit 2023.

Më herët gjatë ditës, Kushtetuesja i dha të drejtë Qeverisë për Ligjin për investime të qëndrueshme, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për vlerësim.

Të mërkurën, Kushtetuesja s’gjeti shkelje as në Ligjin për pagën minimale. Por e rrëzoi Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë.


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka përshëndetur vendimin e Kushtetueses që Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës t’i dërgohet presidentes për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11, të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe janë të pavlefshme.

“Edhe me vendimin e sotëm Gjykata Kushtetuese konfirmoi të bazuara të gjitha pretendimet tona se Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës, i miratuar nga pushteti në tetor të vitit të kaluar, kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës, si dhe legjitimimin e emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme brenda saj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka thënë se si grup parlamentar kanë qëndruar në krye të detyrës “për ta mbrojtur shtetin, administratën publike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve përballë tentimeve të dështuara për të shkatërruar vlerat dhe parimet e demokracisë tonë kushtetuese të ndërtuara me shumë mund dhe sakrifica”.