Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Vasilije Arshiqit për vlerësim të kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, të 1 shkurtit, e që e lë euron si të vetmen valutë për t’u përdorur në Kosovë.
Sipas njoftimit të Kushtetueses të martën, nuk janë shterur të gjitha mjetet e përcaktuara me ligj për këtë kërkesë. Duke e shpallur të papranueshme kërkesën, është refuzuar edhe kërkesa për caktim të masës së përkohshme apo të pezullimit të zbatimit të Rregullores.
Sipas parashtruesit, me këtë rregullore ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut.
Ndërsa aktvendimi i Kushtetueses thekson se si praktikë duhet që parashtruesi t’i shterojë të gjitha mjetet juridike dhe të shkojë në gjykata të rregullta për t’i shqyrtuar pretendimet e individëve për cenim të të drejtave dhe lirive themelore.
Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që preket nga vendimi.
Serbët në Kosovë, për vite të tëra, pranojnë pagesa me dinarë nga buxheti i Serbisë.
Por as pas disatakimeve në Bruksel nuk u arrit ndonjë marrëveshje.