Arbëri

Kushtetuesja e Speciales hedh poshtë ankesat e Mustafës për shkelje të të drejtave gjatë gjykimit

Paneli i Gjykatës Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë ankesën e Salih Mustafës për shkelje të të drejtave dhe të lirive të tij gjatë gjykimit ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në Dhomën e Gjykatës Kushtetuese kanë thënë se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, prandaj i ka shpallur të papranueshme një pjesë të ankesave të Mustafës, ndërsa të tjerat i ka rrëzuar, kanë thënë në Dhomat e Specializuara të enjten, nëpërmjet një njoftimi.

Mustafa është duke e vuajtur dënimin me 15 vjet burgim në Hagë për krime lufte dhe vrasje të paligjshme gjatë vitit 1999 në Kosovë. Ai është ankuar se për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë, si pasojë e mungesës së arsyetimit prej trupit gjykues dhe panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme.

Por, në Dhomën e Gjykatës Kushtetuese kanë thënë se nuk ka pasur gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre.

“Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të Mustafës në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.

Mustafa është ankuar po ashtu se paneli i Gjykatës Supreme nuk e ka identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij, kur e përjashtoi ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale, por në Kushtetuese kanë thënë se ankesa e tij nuk qëndron.

“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës”, kanë thënë në këtë Dhomë.

Një ndër ankesat e tjera të Mustafës ka qenë edhe ndaj vendimit të panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar mbrojtësin e viktimave të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë, duke thënë se kjo kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.

“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese... si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.

Mustafa qe dënuar fillimisht në dhjetor të 2022-tës për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Por, në dhjetor të 2023-tës, Apeli ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim, para se paneli i Gjykatës së Apelit t’ia shqiptonte atij një vit më vonë një dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke e llogaritur dhe kohën e kaluar në paraburgim.

Mustafa është arrestuar dhe më pas është dërguar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur më 15 shtator të 2021-tës dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe 15 të mbrojtjes. Gjatë gjykimit edhe tetë viktima kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Mustafa është personi i parë që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale – lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me krime lufte. Në korrik të këtij viti, Gjykata e ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim, për krime lufte.

Krahas Mustafës e Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar, ndërsa së fundi është thënë se dëshmitarët e fundit të ftuar nga prokurorët do të dëshmojnë deri më 4 prill.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht. Gjykata Speciale i heton krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000. Ajo ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.