Në zyrën rajonale të pensioneve në Prishtinë, ku çdo ditë drejtohen përfitues të njërës prej skemave pensionale, mungojnë hapësirat e përshtatshme e kushtet infrastrukturore për ata që janë në gjendje të rënduar shëndetësore. Në mungesë të pjerrinës për personat në karroca, vizitat për disa prej tyre kryhen në hapësirën jashtë objektit. Në Ministrinë e Financave, në kuadër të së cilës funksionon kjo qendër, nuk ofruan përgjigje rreth kushteve të papërshtatshme të objektit e as për nevojën për rivlerësime
Me shkopinj në duar e me ndihmën e familjarëve, 30 aplikues për të përfituar nga njëra prej skemave pensionale, këtë javë iu drejtuan qendrës së pensioneve në kryeqytet për të dalë para komisionit mjekësor që e bën vlerësimin dhe rivlerësimin e gjendjes së tyre shëndetësore.
22 prej tyre ishin për rivlerësim, proces ky nëpër të cilin ata, bazuar në legjislacion, duhet t’i nënshtrohen çdo 1, 2 apo 3 vjet, pavarësisht se çfarë pensioni marrin.
E pasi objekti ku u paraqitën nuk posedon pjerrinë për persona me karroca e as infrastrukturë të përshtatshme brenda e jashtë tij, vizitat për dy qytetarë në pamundësi të lëvizjes mjekët i bënë jashtë.
Tek folën në kusht anonimiteti, familjarë të disa prej aplikuesve shprehën ankesën se procedurat po ua rëndojnë atyre gjendjen.
“Ka pasur sulm në kry, dy herë u ba operacion. U dasht veç letrat me i kqyr mos me malltretu me pru ktu. Krejt kallxojnë letrat qysh e ka pasë gjendjen shumë të rëndë, menxi ka pshtu.....menxi e prunum ktu, me qetësues është, i harron fjalët.....qe ku e ka karrocën, po nuk mundet me shku”, ka thënë njëri nga familjarët.
Krahas mungesës së pjerrinës, objekti i ka të dëmtuara e pa mirëmbajtje edhe shkallët ekzistuese, afër të cilave kundërmon erë e rëndë përreth një kabine jofunksionale, hapësira e së cilës përdoret për nevoja fiziologjike.
Në këtë objekt, qytetarë drejtohen për të aplikuar apo përfituar nga pensioni bazik i moshës, ai kontributpagues i moshës, i aftësisë së kufizuar, invalidor i punës e ai i parakohshëm dhe pensionet e paaftësisë së përhershme.
Në Ministrinë e Financave, që e ka në menaxhim qendrën, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth kushteve jo të mira dhe as nëse ka ekipe mobile që do t’i vizitonin aplikuesit nëpër shtëpi.
E këtë gjendje dhe detyrimin e aplikuesve për t’iu nënshtruar rivlerësimit, Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar për Aftësi të Kufizuar e kualifikon si shkelje të të drejtave të njeriut.
“Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, sepse rivlerësimi me një vakum derisa një person të hyjë në skemë prapë, në qoftë se një person ka përfituar deri më sot, ka përfituar nga një skemë, p.sh. e paraplegjikëve, e të verbërve, skemat për mbështetje financiare nga shteti realisht ai duhet të presë 2 deri 3 muaj për ekzaminim tjetër në mënyrë që të jetë prapë të hyjë në sistem”, ka deklaruar Kadriu.
Shkaku i mungesës së infrastrukturës, seancat e vlerësimeve dhe rivlerësimeve mjekësore për personat paraplegjikë e tetraplegjikë mbahen në hapësirat e improvizuara nga shoqata që merret me këta persona.