Arbëri

Kusari-Lila: Projektkodi civil e Projektligji për shëndetin riprodhues ka rrezik të kthehen në pikën zero

Mimoza Kusari-Lila

Shefja e deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka shanse minimale që Projektkodi civil të miratohet në këtë legjislaturë.

Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së Kusari-Lila ka deklaruar se edhe për këtë e edhe për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor ka pasur e ka deputetë që kanë hezituar t’i votojnë. 

Ajo ka theksuar se pa opozitën nuk mund t’i votojnë. 

"Ne nuk kemi mundësi që t’i votojmë vetëm pa përfaqësues të opozitës, e kemi thënë këtë për “shkak se ka deputetë që kanë pasur ose kanë hezitime për të dyja, siç e thash Kodi nuk është sjellë fare, prandaj shanset janë gati minimale apo fare që ta kemi në këtë legjislaturë të miratuar, por këto të tjerat që janë në procedurë unë do të doja që t’i përfundonim. Në të kundërtën sipas Rregullores së Kuvendit çdo projektligj i cili nuk arrin të miratohet në dy leximet në Kuvendin e Kosovës  kthehet në pikën zero, kthehen të sponzorizuesi, në këtë rast te Qeveria apo ministria përkatëse”, ka deklaruar Kusari-Lila. 

Kusari-Lila: Nuk presim pengesa në pjesëmarrjen e Kosovës në Procesin e Berlinit 

Ajo ka folur edhe për mundësin e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit, duke thënë se nuk presin pengesa në pjesëmarrjen e Kosovës në këtë proces. 

“Jam e bindur që do të kemi një përmbyllje të suksesshme të këtij procesi të diskutimit me Qeverinë gjermane por edhe të gjitha vendet e tjera të cilat janë pjesë e Procesit të Berlinit në kuptimin e mbarëvajtjes, gjithashtu pjesëmarrja e përfaqësuesve institucionale politikë dhe të tjerëve nga Republika e Kosovës, në këto ditët e tjera kur ka pasur organizime të takimeve ka qenë e papenguar, do të thotë ka pasur pjesëmarrje nivelin ministror dhe përfaqësuesve zyrtarë të shtetit, ndërsa natyrisht se pritet takimi i nivelit të lartë në dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit më 14 dhjetor dhe jam e bindur gjithashtu që deri në atë ditë do të kemi pjesëmarrje të plotë edhe të Republikës së Kosovës bashkë me përfaqësuesit e tjerë”, ka deklaruar Kusari-Lila. 

Shefja e deputetëve të pushtetit ka folur edhe për situatën e sigurisë dhe shtimin e numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovës, duke shtuar se kjo nuk do të bëhej po të mos kishte brenga serioze të sigurisë. 

“Ditë më parë i kishin edhe 200 ushtarë të rinj që kanë ardhur të njësive të veçanta në Kosovë, do të thotë ata nuk do të vinin nëse nuk do të rritej numri i ushtarëve të NATO-s përmes misionit të KFOR-it, sikur mos të kishim brenga shumë serioze të sigurisë, dhe këto nuk janë vetëm për Kosovën, janë për tërë Ballkanin në raport edhe me zhvillimet e tjera që po ndodhin, lufta në Ukrainë”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo ka folur edhe për largimin nga Vetëvendosja të deputetëve Eman Rrahmani e Visar Korenica, të cilët këtë javë i janë bashkuar koalicionit Lista për Familjen. 

Sipas saj largimi i tyre nuk është paralajmëruar, por ka thënë se në kohë fushate nuk ka qenë befasi. 

“Nuk ka pasur komunikim nga ana e tyre për këtë largim, por që indikacionet kanë qenë për një periudhë ndoshta disajavore, për atë që mund të dalin e të largohen, përkundër që e kanë mohuar ... nuk është se publikisht e kanë treguar, ose arsyetuar, ose argumentuar largimin tash kur ndodhi, por jemi në periudhë para zgjedhjeve dhe po ndihet sensi i fushatës dhe kjo në funksion të orientimit të tyre, apo vazhdimit të angazhimit politik nuk është befasi”, ka theksuar Kusari-Lila, duke shtuar se nuk kanë paralajmërime për largime të tjera.