Këshilli i Evropës

Kusari-Lila: Dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese s’është parakusht për anëtarësim në KiE

Mimoza Kusari - Lila - shefe e Grupit Parlamentar te Vetevendosjes

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk është e përcaktuar që dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga ndërkombëtarët, të ndodhë para votimit në Këshillin e Ministrave për anëtarësim të Kosovës në Këshillit të Evropës. 

Këshilli i Ministrave pritet të votojë në mesin e majit për pranimin e Kosovës në KiE. 

Kusari-Lila ka thënë se do të ishte mirë që ndërkombëtaret, të cilët theksojnë që dërgimi i draftit në Kushtetuese do duhej të bëhej para votimit në Këshillit të Ministrave, të insistonin që votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE të ndodhte sa më parë.

“Si procedurë nuk është kërkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Siç e dini edhe vetë raportuesja Dora Bakoyannis, ka treguar që kjo si procedurë nga institucionet e vendit do të bëhet pas anëtarësimit, siç është konfirmuar dhe në letrën e tre krerëve të shtetit si proces i cili ndërlidh zbatimin e tërë marrëveshjeve të arritura apo dy marrëveshjeve të fundit këtë rast Brukseli dhe Ohrit. Prandaj si i tillë nuk do duhej të ishte parakusht ose kushtëzim i mëtutjeshëm. Kosova deri më tani ka treguar vullnet seriozitet dhe përpikmëri, në zbatim të marrëveshjeve por gjithashtu edhe në ruajte të vlerave demokratike dhe ruajte të paqes dhe sigurisë...Prandaj edhe në këtë garancia më e mirë për të gjithë përfshirë edhe të gjithë miqtë ndërkombëtarë të cilët e përdorin ose e vënë përpara e theksojnë që dërgimi në Gjykatë Kushtetuese do ishte i rëndësishëm ose do duhej të bëhej para Këshillit të Ministrave do të duhej të insistonin që votimi të ndodhte sa më parë, Kosova të anëtarësohej, pastaj përmes mekanizmit ndërkombëtar që është garanci për të gjitha shtetet dhe për të gjitha komunitetet apo grupet e margjinalizuar edhe në shoqëri tjera të funksionojë edhe në Kosovë, si garancia më e mirë pa dallim. Nuk është e përcaktuar që kjo do të ndodhë para mbledhjes, është e përcaktuar që Kosova do të procedojë me zbatimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve pas anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.

Themelimi i Asociacionit me hapa urgjent i është kërkuar kryeministrit Albin Kurti nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit James O’Brien. 

Po ashtu presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit.

Themelimi i Asociacionit ka qenë kërkesë e vazhdueshme edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për “Interaktiv” tha se Kosova duhet të bëjë “hapa të prekshëm” për Asociacionin nëse do të anëtarësohet në Këshill të Evropës. 

Kusari-Lila ka thënë se Kosova është e gatshme të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura, porse marrëveshjet duhet të jenë të zbatueshme dhe obligueshme për të dyja palët. 
Kusari-Lila ka thënë se nuk mund të konsiderohet që vetëm formimi i Asociacionit mund të jetë mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Ajo thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.

“Më e rëndësishme për Republikën e Kosovës në këtë proces por edhe për të gjithë komunitetit përfshirë ato pakicë është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të gjithëve pa dallim në veçanti grupeve të margjinalizuara është anëtarësimi në Këshillin e Evropës apo mekanizmi mbikëqyrës që vjen bashkë me anëtarësimin e Këshillit të Evropës. Asnjë mekanizëm tjetër në veçanti jo ata të kërkuara nga Serbia për arsye se Serbia vet si shtet ka qenë shklesja dhe mbetet kryesore e të drejtave serbe, shteti i cili me mekanizmat e vet indimidon, dhunon dhe dëmton pronën e qytetarëve të vet, luan me procesin e vendimmarrjes për fatin e tyre”, ka thënë ajo.