Arbëri

Kusari e quan shkelje kushtetuese mospjesëmarrjen në votimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit

Mimoza Kusari Lila

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, e ka cilësuar shkelje kushtetuese mospjesëmarrjen në votim për kryetare të Kuvendit, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kusari-Lila, që në legjislaturën e kaluar ishte shefe e grupit parlamentar të VV-së, ka shkruar në Facebook sipas aktgjykimit, gjatë konstituimit të Kuvendit “të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë”.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KO119/14, pika 128 thotë se ‘Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu’”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka shtuar se mospjesëmarrja në votim nuk duhet të përsëritet as të hënën kur pritet të vazhdojë seanca konstituive, duke shtuar se ky veprim përbën shkelje.

Albulena Haxhiu në seancën e së shtunës u propozua dy herë si kandidate për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, por në asnjërën tentativë s'i pati votat për t'u zgjedhur.

Nga 61 vota sa nevojiten, pro zgjedhjes votuan 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.

Kundër votuan 20 deputetët e LDK-së dhe abstenuan 3 deputetët e Nismës.

Ndërkaq, në votim nuk morën pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.