Qeverisë Kurti po i mjafton vetëm amandamentimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore në ketë mandat për të thënë që diçka është bëre në këtë drejtim. Kryeministri Kurti pati premtuar fillimin e zbatimit të ligjit. Por pjesa me e madhe e punëve për Sigurimet Shëndetësore nuk janë as afër.
Pak muaj para përfundimit të mandatit katër vjeçar të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka folur për një nga premtimet kryesore të partisë se tij për sektorin e shëndetësisë.
Kurti e Vetëvendosje patën premtuar fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
E të martën, Kurti me mburrje tha që pas rreth 4 vjetësh gati është vetëm amandamentimi i ligjit, por nuk dha datë as të përafërt se kur do të mund të pritej fillimi i zbatimit të këtij ligji.
Pas përurimit të rinovimeve në Klinikën e Emergjencës në QKUK, kryeministri la të nënkuptohen që Sigurimet Shëndetësore nuk janë edhe aq të rëndësishme në një sistem shëndetësor si i joni.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë”, tha Kurti.
Kosova ka ligj në fuqi që rregullon Sigurimet Shëndetësore. E nevoja për ndryshim të këtij ligji është iniciuar që rreth tetë vjet me herët.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha që “pjesë e punës për fillimin e Sigurimeve Shëndetësore” janë edhe rinovimet që po behën në shumë klinika e spitale.
“Ajo çka mundem me shtu është që këto investime edhe proceset në të cilat jemi duke i kaluar jo vetëm në QKUK por edhe në Spitalet Regjionale por edhe me përzgjedhjen e mjekut familjar që po bëhet në mjekësinë primare, edhe me ngritjen e buxhetit për barna në primare dhe sekondare, është në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore. Arsyeja që po e them këtë është që qytetarëve nuk mund t’u kërkosh 3.5 për qind më shumë nga paga e as punëdhënësit ekstra 3.5 për qind nga pagat që u jepen punëtorëve, pa pasur besim në investime dhe shërbime të reja”, tha Vitia.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë së çka saktësisht ka bërë kjo Qeveri për fillimin e zbatimit të ligjit për Sigurime Shëndetësore por nuk kanë kthyer përgjigje.
Sigurimet Shëndetësore në bazë të gjendjes aktuale që është publike nuk kanë gjasë që të fillojnë edhe për një kohë.
Sistemi Informativ Shëndetësor është parakusht që të fillohet një proces i tillë. Edhe finalizimi i digjitalizimit të shëndetësisë nuk ka ndodhur ende.
Para fillimit të zbatimit të këtij ligji duhet të aprovohet lista e shërbimeve gjë që nuk ka ndodhur.
Gjithashtu duhet të aprovohen çmimoret për secilin shërbim që po ashtu nuk ka ndodhur.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor funksionon me kuadër të kufizuar e puna në këtë institucion pas fillimit të zbatimit të ligjit është esenciale.