Kryeministri Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mundohet të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i me akuza të rreme, siç ishte pretendimi i presidentit serb se shqiptarët nesër do të mblidhen në Urën e Ibrit.
Në një postim në “X” të martën, Kurti ka thënë se akuzat e rreme si këto të fundit nga Vuçiqi janë, sipas tij, shpesh pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia.
“Me pretendimet e rreme se shqiptarët do të marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.
Vuçiqi në një deklaratë të martën vonë ka thënë se pret nga KFOR-i që ta kontrollojë situatën nesër tek Ura e Ibrit, duke e akuzuar "Agim Bahtirin, që me urdhër të Kurtit, ka organizuar kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës”.
Hapja e Urës së Ibrit ka nxitur reagime ditëve të fundit. Teksa Qeveria e Kosovës e sheh si veprim të duhur hapjen, ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar.