Kryeministri Albin Kurti është takuar me vëllezërit që zotërojnë kompaninë e dronëve Bayraktar TB-2 në Turqi, duke njoftuar se ka vizituar edhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie.
Kurti shkroi në Facebook të hënën se kompania turke është pioniere në industrinë e mbrojtjes dhe të aviacionit, duke theksuar se Kosova ka në arsenalin e saj kësi lloj dronësh.
“Baykar është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë. Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Aty pashë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma”, ka theksuar ai.
Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 vitin e kaluar nga kompania turke. Kurti pati thënë se ata do të përdoren për të shtuar sigurinë në vend.
“Faleminderit kryeministër Albin Kurti për vizitën tuaj. Jemi të nderuar me vizitën tuaj dhe jemi krenarë që shfaqëm prototipin Kizilelma. Teknologjia jonë e avancuar UAV forcon aftësitë tona mbrojtëse dhe kontribuon në paqen dhe sigurinë rajonale. Së bashku, ne do të punojmë për mbrojtjen e paqes dhe për të nxitur partneritete të qëndrueshme”, ka shkruar Haluk Bayraktar në platformën “X”.