Arbëri

Kurti: Vizita e shefit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta e të qëndrueshme SHBA-Kosovë

William Burns dhe Albin Kurti

(E përditësuar në 13:20) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim udhëheqësin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, CIA, William Burns, i cili ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Në një njoftim për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit pas takimit, thuhet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SKBA. 

Në njoftim thuhet se në takim është theksuar përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim. 

Tutje theksohet se Kurti e ka falënderuar drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, “duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”.

Kurti thuhet se në takim ka folur edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Shefi i CIA-s William Burns / Foto: Alban Bujari 

Në vizitën e paparalajmëruar, shefi i CIA-s ka qëndruar të enjten pasdite në Presidencën e Kosovës.

Ai ka ardhur në Kosovë pasi për vizitë ka qëndruar edhe në shtetet e tjera të rajonit.

Në takim me presidenten ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë, ku policia i ka detyruar gazetarët të mbanin distancë të madhe me pjesën ku lëvizte Burns, që është edhe pjesëtar i kabinetit të presidentit Joe Biden.

VIDEO:

Osmani për takimin me shefin e CIA-së: Aleanca me SHBA-në garancë për siguri

7 muaj më parë / 23 gus 2024 10:53
William Burns dhe Vjosa Osmani

Një ditë pasi që e ka pritur në takim udhëheqësin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, CIA, William Burns, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është garancë për siguri, paqe e sukses. 

Të premtën ajo ka publikuar edhe disa fotografi të takimit, i cili është zhvilluar të enjten. 

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Osmani.