Kryeministri Albin Kurti ka uruar 28 Nëntorin, Pavarësinë e Shqipërisë, me projektin i cili do të implementohet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Shefi i ekzekutivit tutje ka shkruar se nuk do të kursejnë asgjë për të ndërtuar kompleksin memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, që sipas tij, e pasqyron luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim.
“Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!”, ka shkruar Kurti.
Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë.
Osmani: 28 Nëntori është kujtim i sakrificave për liri e paqe
Presidentja Vjosa Osmani teksa ka uruar 28 Nëntorin, ka thënë se kjo ditë është edhe kujtim i sakrificave për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë.
Osmani ka përmendur tri momentet historike që janë simbiozë e 28 Nëntorit.
“Më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona. 28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë. 28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, ka shkruar presidentja.
Konjufca: 28 Nëntori është dita më përbashkuese e popullit shqiptar
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se 28 Nëntori është dita më përbashkuese e popullit dhe kombit shqiptar.
Konjufca të enjten paradite vizitoi Prekazin.
“Ashtu sikurse çdo 28 Nëntor, edhe këtë 28 Nëntor erdhëm në Prekazin legjendar, për t’u përkulur para sakrificës së madhe të familjes Jashari, për ta kujtuar daljen e parë publike të UÇK-së si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. 28 Nëntori është dita jonë e krenarisë, dita më përbashkuese e popullit dhe kombit shqiptar. Gëzuar të gjithë shqiptarëve. E festofshim gjithmonë këtë ditë krenar dhe të lirë”, ka thënë kryekuvendari.