Arbëri

Kurti u premton qytetarëve të Vitisë qasje në autostradën që i lidh Prishtinën me Shkupin

Aktivitetin elektoral, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e zhvilloi të premten në Viti, Artanë e Kamenicë. Në Viti, ai e premtoi përfundimin e punimeve për palestrën e sporteve, qasjen në autostradën “Arbën Xhaferi” si dhe zgjidhjen e problemit me ujë të pijes në këtë komunë. E në Kamenicë, Kurti fokusin e pati te garantimi i sovranitetit

Kartëvizitat dhe broshurat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë pritur të premten akëcilin të interesuar për të marrë pjesë në tubimin elektoral, që ky subjekt politik e ka organizuar në Viti. Një pjesë e tyre janë detyruar që të dalin nga salla, ku do të mbahej tubimi, shkaku që hapësira e brendshme qe e pamjaftueshme për t’i zënë të gjithë. Për këtë shkak, tubimi u zhvendos jashtë sallës.

Tek iu drejtua të pranishmëve, kandidatja për deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se sa më shumë që afron data e zgjedhjeve të 9 shkurtit, aq më shumë mbështetje dhe përkrahje po merr Vetëvendosja.

“Por në anën tjetër aq më shumë po shtohet ankthi e sikleti i kundërshtarëve. Kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit e korrupsionit janë bërë bashkë, sepse mundësinë për vjedhje në tenderë, harraqin s’po mund ta marrin, pronat publike s’po mund t’i shesin, trakat e rrugëve s’po mund t’i devijojnë, prodhuesin nuk po mund ta pengojnë, nuk po mund të vjedhin në grante e subvencione, në punësime e nëpër institucione”, tha ajo, tek shtoi se 9 shkurti është data kur do të konfirmohet që epoka e qeverisjes së partive opozitare ka përfunduar.

Haxhiu tha se pas 9 shkurtit nuk do të ketë “asnjë forcë, as e brendshme dhe as e jashtme” që do të mund ta ndalë transformimin e sistemit të drejtësisë.

“Fitorja e 9 shkurtit është mesazh i qartë që reforma është e pakthyeshme dhe çdo tentativë për ta ndaluar atë do të dështojë. Nuk ka kthim, sepse kjo është betejë për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve tanë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë një drejtësi të paanshme dhe kjo do të realizohet pavarësisht çdo tentative për ta sabotuar sepse ata nuk mund të jenë më të fuqishëm se populli jonë, populli i Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Mungesa e hapësirave për tubime më të mëdha i nxiti qytetarët e Vitisë të kërkojnë investime të Qeverisë. Për këtë zotim bëri kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti.

“Atëherë kur moti nuk do të na lejojë të mblidhemi në shesh, sikurse sot këtu Palestra e Sporteve e cila kishte stagnuar për shumë vjet, ja kemi dhënë vëmendjen e duhur. Punimet atje po vazhdojnë, gjatë mandatit tonë të radhës, Vitia do ta ketë Palestrën e Sporteve që e ka pritur kaq gjatë e të cilën e meriton aq shumë”, theksoi ai.

Kurti në Viti premtoi edhe qasje në autostradën që i lidh Prishtinën me Shkupin.

“E  di se Vitisë i është bërë një padrejtësi e madhe, me pamundësimin e kyçjes në autostradën ‘Arben Xhaferi’, por Vitia do të kyçet në autostradën ‘Arben Xhaferi’ dhe qeveria jonë që do ta vazhdojë mandatin është garancia, dëshmia, kushti, mundësia për këtë sepse punimet fillojnë sapo të përmirësohet moti dhe do të përfundojnë në fund të kësaj pranvere”, tha ai.

Për ta zgjidhur problemi me ujin e pijshëm, Kurti premtoi ndërtimin e Digës së Firajës. Ai tha se gjatë qeverisjes së LVV-së, Vitia është ndihmuar me 9 milionë euro grante e subvencione për bujq e fermerë, teksa shtoi se shtesat qeveritare kanë përfituar mbi 1.200 lehona e afër 5.400 fëmijë.

“Kurse rreth 450 të rinj kanë gjetur punë përmes programit qeveritar super puna, të rejat dhe të rinjtë e Vitisë prej moshës 18-29 vjeç. Dhe afër 6 mijë pensionistë të Vitisë nga tetori i vitit të kaluar marrin pensionin me rritje prej 20 për qind dhe në katër herë 5 herë e kanë marrë pensionin e 13-të”, theksoi ai.

Nga Vitia, LVV-ja aktivitetin elektoral e vazhdoi në Novobërdë dhe në Kamenicë.

Krahas investimeve për Kamenicën, Kurti bëri zotim për sigurinë e territorit shtetëror.

“Ashtu siç është shtëpia për familjen, shteti është për popullin. Shteti është shtëpia e popullit. Siguria e shtëpisë varet nga siguria e oborrit. E siguria e oborrit varet nga siguria e gardhit. Njësoj, siguria e shtetit varet nga siguria e territorit e siguria e territorit varet nga siguria e kufijve. Gardhin e oborrit e kemi thurë në Republikën e Kosovës cep më cep. Kush na e prek kufirin e ndjekim hu gardhi. Dhe jo vetëm hu gardhi, sepse buxhetin për polici e kemi rritur për 66 për qind, buxhetin për ushtri e kemi trefishuar ndërkaq buxhetin për armatim e municion e kemi 100-fishuar. Kufirin e ruajmë, sepse e mbrojmë anembanë e anekënd nga të gjithë kriminelët dhe armiqtë e Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje fushatë të shtunën do të zhvillojë në Malishevë.