Arbëri

Kurti thotë se është rritur numri i të punësuarve, opozita i quan të pavërteta të dhënat e tij

Shifrat për rritjen ekonomike, punësimin dhe pagën minimale kanë përplasur pushtetin dhe opozitën. Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë tre vjetëve të fundit ka rritje të numrit të punësuarve për 20 për qind. Kjo e dhënë nga opozita u quajt mashtruese dhe me efekt elektoral

Vendimet e fundit të Qeverisë opozita po i ndërlidh me fushatën parazgjedhore, ndërsa të dhënat e saj për ndryshime pozitive në ekonomi po i quan të pavërteta. 

Kryeministri Albin Kurti, gjatë një ceremonie në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar, tha se zhvillimi ekonomik ka marrë hov që nga 2021-ta. Bruto Produkti Vendor dhe Buxheti i Shtetit, sipas tij, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. 

“Krahasuar me para tri vite në Kosovë është rritur punësimi për 20 për qind, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar. E pa dyshim që kjo ka ndikuar në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”, ka thënë Kurti.

Deklarata e Kurtit ka nxitur reagimin e opozitës. 

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Mustafa, e ka quajtur deklaratën e tij tendencë për mashtrim të publikut.

“Me rritjen ekonomike nën 4 për qind, investimet private në rënie të vazhdueshme, investimet publike më të ulëtat dhe deficitin tregtar më të lartin në histori, nuk mund të ketë lulëzim të ekonomisë e as të punësimit!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

E anëtari i Kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, për qëllime elektorale e ka konsideruar edhe vendimin e së mërkurës për rritjen e pagës minimale. Shatri tha se kjo rritje është e pamjaftueshme dhe s’ka efekt. 

“Ky është një veprim paraelektoral, sepse nuk besoj që do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit. Do të shpejtojnë sigurisht kah dhjetori të hyjë në fuqi që të mbërrijë një efekt zgjedhor”, ka deklaruar Shatri.
Berat Rukiqi nga LDK-ja ka prezantuar disa tabela për rritjen e çmimeve në produkte esenciale viteve të fundit. Edhe Rukiqi ka thënë se rritja e pagës minimale është e vonuar.

“Këto të dhëna janë treguesi më i saktë për efektin real të vendimeve të Qeverisë në raport me pagën minimale, të cilat po kthehen në vendime pa efekt për mirëqenien e qytetarëve, pasi që janë të vonshme dhe bëhen shkel e shko, puro për përfitime elektorale të partisë në pushtet”, ka theksuar Rukiqi.

Lartësia e pagës minimale, në kuotat 130 (për punëtorët nën 35 vjeç), përkatësisht 170 euro (punëtorët deri në 65 vjeç) nuk është ndryshuar që nga gushti i vitit 2011. Deri në vitin 2020, Qeveria është drejtuar nga: PDK dhe partitë e vogla (2011-2014), LDK-PDK (2014-2017) dhe AAK-PDK-NISMA (2017-2020). Në dy prej këtyre koalicioneve, ka qenë edhe Lista Serbe.  

E Qeveria Kurti e ka proceduar Projektligjin për pagën minimale më 2022, një vit pasi fitoi zgjedhjet nacionale. Projektligji parashihte rritjen e pagës minimale në 264 euro. Ai u miratua në lexim të dytë në korrik të vitit 2023, porse menjëherë u dërgua në Kushtetuese nga AAK-ja. Kushtetuesja nuk dha opinion për të për afro një vit. Tek më 26 qershor të vitit 2024, Kushtetuesja njoftoi se nuk gjeti shkelje dhe se ligji mund t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani për shpallje. 

Pak ditë pasi hyri në fuqi ky ligj, Qeveria e Kosovës, më 28 gusht të këtij viti, mori vendim që ta rrisë pagën minimale nga 264 euro në 350 euro.  

Paga e re minimale, sipas kryeministrit Kurti, do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar, të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat.