Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar ngritjen e aktakuzës për 45 persona për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kurti është shprehur i bindur se kjo aktakuzë ka mund të ngrihet më herët.
Ai tha se aktakuzën nuk e ka parë dhe shtoi se duhet analizuar përmbajtja e saj para se të flitet.
“Nuk e kam parë aktakuzën jam i bindur që ka mund të ngrihet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli ynë 'më mirë vonë se kurrë'. Por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj në mënyrë që të mund të flasim për të”, tha Kurti.
Dje Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzës për 45 persona të përfshirë në sulmin e Banjskës të Zveçanit.
Kurti ka thënë se vazhdimisht ka insistuar që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet Kosovës për krimet e kryera në Banjskë. E po ashtu të nënshkruhet marrëveshja.
“Ajo çfarë insistojmë vazhdimisht, kudo që ndodhemi, e kam thënë edhe herën e fundit kur isha në Bruksel në takimin e nivelit të lartë, e para është dorëzimi i Milan Radoiçiqit te autoritetet e Kosovës, sepse krimin e ka kryer në Kosovë, Banjska është në Zveçan të Kosovës. Së dyti, duhet të tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq me të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej marrëveshjes bazike dhe aneksit të zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB. E treta duhet të nënshkruhet marrëveshja bazë në mënyrë që të tregohet mirëbesim si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e pa nënshkruar po shihet se është marrëveshje shumë kollaj për të mos u respektuar dhe për të mos u zbatuar”, tha Kurti.