Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua rrjeti i grave në pozita vendimmarrëse në administratë publike dhe institucione të pavarura, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka theksuar nevojën e forcimit sindikal të grave, teksa ka thënë se pengesat për gratë në Kosovë më shumë janë kulturore sesa ligjore dhe politike.
Ai tutje ka lavdëruar punën e tij katërvjeçare, duke thënë se që nga viti 2021 është shtuar numri i punësimit të grave si dhe 50 për qind e anëtarëve të emëruar në ndërmarrjet publike janë gra.
“Sado që gratë në Kosovë zënë vende udhëheqëse më shumë sesa më parë pengesat mbeten. Ato pengesa nuk janë vetëm ligjore dhe politike, por janë të skalitura në vet mënyrën sesi funksionon pushteti. Janë strukturore në hapësira ku merren vendimet. Janë kulturore në mënyrën sesi gjykohen gratë për fjalën që thotë, mënyrën si flasin si vishen dhe si qëndrojnë. Po ashtu janë edhe institucionale pasi sistemi që ka ndërtuar të kaluarën vazhdon ku më shumë dhe ku më pak të komandojë të tashmen”, ka thënë Kurti.
Pjesë e këtij organizimi ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se është bërë progres për avancimin e pozitës së gruas në Kosovë, mirëpo nënvizoi nevojën që të ketë avancim edhe më të madh.
“Është bërë arritje kaq e madhe në Kosovë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e grave, fuqizimin, por edhe në mënyrë të veçantë agjencinë dhe dikasteret e ndryshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për çështje të barazisë por edhe të cilësisë, në mënyrën e vendimmarrjes dhe udhëheqjes së këtij vendi. Globalisht siç dimë ne, gratë vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara sipas Kombeve të Bashkuara anë e kënd botës”, deklaroi ambasadori britanik.
Mes tjerash u theksua nevoja për shtyrjen e politikave që promovojnë barazinë gjinore, pasi u konsiderua që janë esenciale për zhvillimin dhe demokratizimin e shoqërisë kosovare. /KSP