Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Telekomi i Kosovës çdo ditë po i modernizon shërbimet e për këtë meritat ia ka lënë Qeverisë që udhëheq.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti shtoi se me mbështetjen që i kanë dhënë kësaj kompanie publike arritën ta nxjerrin nga humnera e ta udhëheqin drejt zhvillimit.
“Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektroteknike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni, Kosova ka shtrirjen më të madhe të internetit në amvisëri dhe biznese. Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit. Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigantët teknologjikë nga Suedia e Kroacia po i modernizon shërbimet 4G dhe 5G në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni njoftimet nga Telekomi për modernizimin e shërbimeve të Valës në të gjitha komunat, përfshirë ato veriore si rezultat i investimeve të cilat po bëhen”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, zhvillimi i Telekomit ka prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat.
“Operatori privat po e zgjeron rrjetin. Nga kjo konkurrencë përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar shefi i Qeverisë.
Në mbledhje, Kurti bëri të ditur se janë në proces të blerjes së objekteve të ambasadave në Itali, Turqi e Kanada.
Krasniqi për Urën e Ibrit: Po presim partnerët tanë të jenë të gatshëm për hapjen
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ura mbi lumin Ibër duhet të hapur dhe se nuk ka asnjë arsye që të mbetet e mbyllur.
Krasniqi ka thënë se Kosova është e gatshme të hapë urën, porse po pres që edhe partnerët e saj të jenë gati.
“Ne jemi gati që ura të hapet, s’kemi argument para vetes që na bën të besojmë se ura s’duhet të jetë e hapur. Po presim edhe partnerët tanë të jenë të gatshëm për hapjen e urës. Ata kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet, është pikëpamja e tyre për hapjen e urës. Ne si institucione të Republikës së Kosovës jemi gati. Besojmë plotësisht se nuk ka asnjë arsye që ura të mos hapet. Besojmë fuqishëm se s’ka kapacitete të elementeve çrregulluese brenda Republikës së Kosovës që mund të krijonin situata që të mos mund të menaxhohen nga institucionet tona të sigurisë”, tha Krasniqi në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Krasniqi po ashtu ka folur për mbylljen e objekteve të strukturave paralele në Kosovë.
Ai ka thënë se në Kosovë s’ka asnjë vend për institucione paralele dhe se do të mbyllen të gjitha.
E i pyetur për kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Krasniqi ka thënë se “s’ka përgjigje të re për diçka që nuk është e re”.
Aliu për raportimet se po hetohet nga Prokuroria: Jam i gatshëm të bashkëpunoj në zbatimin e ligjit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk ka njoftim zyrtar se po hetohet lidhur me rastin e ambalazhuesve.
“Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se Prokuroria ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve, teksa Aliu po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Unë s’kam asnjë informacion zyrtar. Gjitha informatat për zgjerim të hetimeve i kam marrë në media. Pa e pasur një vendim zyrtar s’mund të deklaroj. Unë e shpreh gatishmërinë time që të bashkëpunoj në zbatim të ligjit. Jam në dispozicion të drejtësisë e zbatimit të ligjit në këtë pikë pa asnjë hezitim”, tha Aliu në konferencë për media.
Aliu ka folur edhe për aksionet e ndërmarra këtë vit në mbrojtje të mjedisit.
Ai ka thënë se vetëm gjatë këtij viti task-forca e mjedisit ka ndërmarrë mbi 20 aksione, sidomos nëpër lumenj e po ashtu nëpër paqe.
“Këto aksione kanë pasur një efikasitet mjaft të mirë. Por, kjo e sjellë domosdoshmërinë që përpos task-forcës të ketë një sistem e ligj që mundëson këtë...Kur flasim për ndarjen e nënkuptojmë që niveli komunal i menaxhimit të mbeturinave të jetë shumë më i decentralizuar”, tha Aliu.
Për çështjen e autostradës së Gjilanit dhe rrugën për Gjakovë, Aliu ka thënë se janë projekte me probleme “por ka një progres të madh”.
“Mendoj që ka një progres të madhe por s’mundem me ju dhanë datë. Kur iu është dhënë premtimi që do të kryhet ka qenë një gabim dhe as për së afërmi nuk ka qenë gati”, ka deklaruar Aliu.