Zgjidhje të problemeve u ka premtuar kryeministri Albin Kurti, kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci, në takimet që kanë pasur gjatë ditës. Sipas kryetarëve të dy komunave, temë diskutimi kanë qenë sfidat në komuna, si dhe mundësia e realizimit të projekteve
16 muaj pasi morën pozitën e kryetarit, kryeministri Albin Kurti, i ka takuar të martën kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci.
Zeqiri ka thënë se në këtë takim me kryeministrin Kurti, është diskutuar për sfidat dhe arritjet e komunës së Zubin Potokut.
“Ishin temat që neve na preokupojnë, të niveleve lokale, deri te mundësia e realizimit të projekteve, ku kemi ardhur me punën si dhe në çfarë planesh kemi për të vazhduar dhe natyrisht çfarë kemi nevojë ne për të na ofruar ndihmë Qeveria dhe organet e Qeverisë”, ka thënë Zeqiri.
E pas takimit me kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, kryeministri Kurti është takuar edhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci.
Sipas kryetarit të Zveçanit, kryeministri ka premtuar zgjidhje të problemeve.
“U takuam me kryeministrin Kurti, ne i treguam me cilat probleme përballemi dhe ai na premtoi që vitin e ardhshëm do t’i japë më shumë përparësi komunës sonë”, ka thënë Peci.
Si Peci, ashtu edhe Zeqiri vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kryeministri, më herët pati takuar kryetarët e dy komunave të tjera veriore, Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që vijnë nga radhët e partisë që drejton Kurti – Vetëvendosje.
E në njoftimin e Qeverisë është bërë e ditur se përveç sfidave që kanë këto dy komuna, në takim është diskutuar edhe për ndarjen buxhetore.
“Nën vazhdën e takimeve me kryetarët e komunave veriore, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me drejtuesit e Komunës së Zubin Potokut, mirëpriti kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe drejtorët komunalë. Gjatë takimit, u diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara në komunë, për nevojën për investime publike në zgjerimin, funksionalizimin dhe përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit. Me këtë rast, u theksua rëndësia e përgatitjeve dhe miratimi i buxhetit komunal sipas afateve të Qarkores Buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në mënyrë që buxheti për projektet aktuale dhe ato të reja të reflektojnë në Ligjin për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryetarët e katër komunave në veri u zgjodhën në zgjedhjet e prillit të vitit të shkuar, pas dorëheqjes së atyre serbë, që vinin nga radhët e Listës Serbe.