Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëpërmjet sulmit në Varagë të Zubin-Potokut, Serbia ka tentuar që t’i lë pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës, duke shtuar se sulme të tilla si në kanalin ujor të Ibër Lepencit janë të ngjashme me sulmet ruse në Ukrainë.
Kurti para mediave ka thënë të dielën se Kosova është cak i sulmeve hibride tash e një kohë, por sulmin e fundit e cilësoi “sulm kinetik”, duke thënë se u tentua që qytetarët të viheshin nën kushtet jetike.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës ruse ndaj Ukrainës, me ç’rast këto sulme ishin të orkestruara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike, të minimumit të ekzistimit dhe të dëmtohet jeta e siguria e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, kemi sulme në objektin e Komunës së Zveçanit, e në të njëjtën kohë edhe në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri prezantoi një fotografi të disa emblemave ushtarake, që siç tha ai, janë emblema ruse e që janë kapur nga Policia e Kosovës në veri. Ai u shpreh se emblemat iu përkasin njësive të specializuara që kryejnë operacione të veçanta ushtarake.
“Vendi ynë është cak i formave të ndryshme hibride. Në shtator 2023 sulmin në Banjskë që për qëllim kishte aneksimin e veriut...Krahas dezinformimit, tash luftës hibride i është shtuar edhe sulmi kinetik...Në secilin rast ne kemi dalë fitimtarë, pasi shteti është edhe i fortë e edhe i shpejtë. Për dy ditë, institucionet publike kanë dëshmuar se janë sërish në krye të detyrës, për çka u jemi falënderues”.
Kurti ka shtuar se liria e kryeterroristit Milan Radoiçiq në Serbi është mbrojtje e hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim që të tjerët të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.
“Qëndrimi i lirë e aktiv i Radoiçiqit në Serbi është e vërteta e Serbisë që po përpiqet që fqinjët e saj që s’janë anëtarë të BE-së t’i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut. Liria e Radoiçiqit përbën mbrojtje të hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët që kryejnë sulme terroriste në Kosovë. Pas sulmit në Banjskë, ka pasur sulme të tjera. Këto ngjarje po dëshmojnë se Serbia s’ka ndërmarrë asgjë të parandalojë terrorizmin”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, mosdorëzimi i Radoiçiqit nga autoritetet serbe në Kosovë është problemi kryesor.
“Problemi kryesor është që Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritetet serbe në Kosovë të përballet me drejtësi. Ka edhe urdhërarrest edhe aktakuzë”, ka thënë ai, duke shtuar se gjasat për plane të tjera për sulme në Kosovë do të ishin më të vogla sikur Radoiçiqi t’iu dorëzohej autoriteteve kosovare.
Kurti është shprehur më së miri do të ishte sikur të mund të dërgohej ushtria e Kosovës në veri.
“Në veri jemi të hendikepuar pasi ushtria jonë, që nga zotimi i Thaçit në 2013, s'mund të shkojë në veri e atje s'është situata si në pjesë të tjera të vendit tonë...Nga nervozizmi, Serbia i rrit aksionet e tilla, meqë nuk e posedojnë më veriun e Kosovës. Dëshirojnë të thonë se ‘s’do t’iu lëmë rehat. Kjo tregon se ata kanë humbur, por nuk duan që ne të fitojmë, të jetojmë... Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s'e kam mirëpritur e as s'më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit”, është shprehur ai.
Rizvanolli: Sulmi në Ibër-Lepenc e bëri të qartë se jemi të përgatitur të përballojmë kërcënime të tilla
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, e ka bërë të qartë se institucionet e Kosovës janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla.
Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Rizvanolli ka thënë se po punohet për zgjidhje afatgjatë të problemit për furnizim me ujë dhe energji elektrike.
“Ky sulm e bëri një gjë të qartë, institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla, duke siguruar që furnizimi me ujë dhe energji të rikthehet shpejt dhe pa pasoja për qytetarët. Ibër-Lepenci është duke vazhduar punën me ekspertë dhe me përkrahje të ministrisë për ta bërë të mundur sanimin afatgjatë të kanalit, ndërkohë që po e monitoron bashkë me MPB-në dhe institucionet e sigurisë 24 orë në ditë lokacionin ku ka ndodhur sulmi dhe rrjedhën e ujit aty për të siguruar që zgjidhja teknike emergjente që është bërë, është e qëndrueshme deri në gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjes afatgjatë”, ka thënë ajo.
Gjatë ditës, Rizvanolli ka thënë se furnizimi me ujë në zonat e prekura nga ky sulm po kthehet në normalitet.