(17:40) - Gjatë konferencës për media, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar për sulme të reja në veri që pritet të ndodhin veçmas në periudhën “para dhe pas Vitit të Ri”.
“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri. Këto sulme mund të synohen të realizohen varësisht prej interesave politike të kreut të shëtit serbë, posaçërisht për protestat e vazhdueshme opozitare atje”, ka thënë ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se isntitucionet e Kosovës janë të përkushtuara t’i neutralizojnë maksimalisht këto metoda.
“...përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme, veçmas nëse këto sulme e kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, ka shtuar Kurti.
Kurti: Sulmi në “Ibër-Lepenc” kishte qëllim rrezikimin e sigurisë nacionale
(17:18) - Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë nacionale të Kosovës. Prapa sulmit, sipas Kurtit, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.
Në një konferencë për media të martën pasdite, shefi i Qeverisë ka thënë se me shpërthimin me eksplozivë në “Ibër-Lepenc” grupit terrorist të cilit, siç thotë ai, i prin Radoiçiqi kishte për qëllim ta paralizonte jetën ekonomike dhe energjetike në Kosovë.
“Sulmi me eksplozivë në “Ibër-Lepenc” më 29 nëntor të vitit 2024 përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjike në Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave që do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë Kurti.
Më 29 nëntor, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e “Ibër-Lepencit”, që furnizon me ujë disa qytete, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë fajësuar direkt Serbinë. Ndërkombëtarët gjithashtu kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë. Për shpërthimin deri tash janë dy serbë në paraburgim.
Sipas Kurtit, shteti i Serbisë po koordinohet me Radoiçiqin për ta vazhduar luftën hibride kundër Kosovës.
“Qëndrimi i Beogradit për mosdorëzimin e Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë ka qenë inkurajim për grupin terrorist që i prin Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera supverzive, diverzive ndaj integriteti territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës sonë. Strehimi i Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron Beograd zyrtar me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që ia ka falur kreu i shtetit serb atij edhe për kontrollin faktik e politik për serbët e Kosovës, nuk mund të quhet veçse koordinimi i shtetit të Serbisë me Radoiçiqin dhe grupin terrorist për ta vazhduar më tej luftën hibride kundër Kosovës”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur Nemanja Radivojeviqin dhe Vladimir Radivojeviqin si dy personat e afërt të cilët i caktuar Radoiçiqi për sulme në Kosovë. Të dy ishin pjesë e grupit që kryen sulmin terrorist në Banjskë.
“Që nga qershori i vitit 2024 kur kanë vazhduar të shpërndahen postera me foton e Vuçiqit në veri me mbishkrime “komandant suprem ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në veri përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Radoiçiqin. Bazuar në informacionet e inteligjencës sonë, Radoiçiqi ka caktuar dy persona të afërt të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre të cilat kanë marrë pjesë edhe në sulmin në Banjskë dhe strehohen në Serbi. Këta persona janë Nemanja Radivojeviq (Gandi) dhe Vladimir Radivojeviq (Malli)”, ka thënë kryeministri.