Arbëri

Kurti s’flet për kërkesat e O’Brienit, opozitë e analistë vlerësojnë se ato s’do të merren parasysh

Formimi i Asociacionit është kthyer sërish në krye të kërkesave të përfaqësuesve ndërkombëtare. Një të tillë e ka bërë së fundi edhe ndihmës sekretari amerikan, James O`Brien, gjatë qëndrimit në Kosovë e Serbi. Për kërkesat e ndërkombëtarëve nuk foli të martën kryeministri Kurti, derisa nga opozita e analistë vlerësohet që ato s`do të merren parasysh nga ai, veçanërisht ajo për Asociacionin.

Kosova ka qenë adresë vizitash për përfaqësues diplomatikë evropianë e amerikanë javët e fundit.

Emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, ai i SHBA-së, Alexander Kasanof e madje ndihmëssekretari amerikan James O`Brien, janë disa nga zyrtarë të lartë që qëndruan ditëve të fundit në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë një ditë më parë, por edhe gjatë vizitës në Serbi, ndihmës sekretari amerikan, James O`Brien, kërkoi angazhim në dialogun mes dy shteteve.

Për takimin me O`Brienin e kërkesat e tij për progres, të martën, nuk pranoi të flasë kryeministri Kurti.

“Ne kemi marrëveshje tashmë, jo vetëm dialog”, tha Kurti.

Kërkesë e zyrtarit të lartë amerikan ishte edhe formimi i Asociacionit.

Por, në opozitë konsiderojnë se veprimet e kërkuara në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshje nuk do të merren nga kryeministri Albin Kurti.

“Vizita e O’Brienit është konfirmim që SHBA-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar dhe e interesuar për avancimin e proceseve eurointegruese të Kosovës. Është privilegj që në kohë të krizave globale SHBA-ja gjen kohë të merret me Kosovën, pavarësisht që në angazhimin e tyre nuk ditëm ta lexojmë dhe kuptojmë për shkak të politikave miope të z.Kurti. Z.O’Brien u mundua të ngrejë alarmin në të cilin ne gjendemi. Mesazhin e tij do ta përmblidhja me një fjali-togfjalësh: Harmonizim të veprimeve me SHBA-në, avancim të proceseve në bashkërendim të veprimeve dhe maksimalizim të kohës duke mos e befasuar SHBA-në me veprimet tona si edhe deri tash. Po ashtu, dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese nuk do të bëhet nga z.Kurti për faktin që ne jemi në proces zgjedhor dhe ai do të bëj çmos që ta shtyj këtë deri pas zgjedhjeve si edhe për faktin që Marrëveshja aktuale e ka përjashtuar opinionin e Gjykatës Kushtetuese”, tha nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj.

Vullnet në këtë drejtim, jo vetëm nga pushteti, nuk sheh analisti Shqiprim Pula.

“Nga mungesa e veprimeve por edhe të shprehjes së vullnetit politik nuk duket që çështja e asociacionit të ketë një epilog shpejtë, A do të marrë rrugë kjo çështje mbetet për t`u parë por meqenëse jemi në fazën e parazgjedhjeve nuk e besoj që do të ketë vullnet politik qoftë nga pozita apo opozita për të shqyrtu një kërkesë të tillë”, tha Pula.

Çështja e Asociacionit ka kohë që tentohet të jetë temë diskutimi në Bruksel nga Serbia.

Një kërkesë e tillë është refuzuar, e madje shkaku i saj, kanë dështuar të mbahen edhe takimet trepalëshe në Bruksel.

Një i tillë ende nuk dihet nëse do të zhvillohet në takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve që pritet të mbahet më 24 tetor.