Stërvitjet ushtarake me dronë, që po i bën Serbia afër kufirit me Kosovën, përbëjnë kërcënim për shtetin, ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, Beogradi zyrtar synon ta destabilizojë gjithë rajonin. Kryeministri ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin ka thënë se nuk mund të themelohet pa i përmbushur Serbia shumë nga obligimet që i ka marrë në kuadër të dialogut.
Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar kërcënime stërvitjet që Ushtria e Serbisë është duke i bërë me dronë luftarakë kamikazë, 30 kilometra afër kufirit me Kosovën.
Ai ka thënë se këto ushtrime që realizohen më afër kufirit me Malin e Zi dëshmojnë përpjekjet e Serbisë për destabilizim të rajonit.
“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi se Serbia është autoriteti, instanca e faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim për republikën tonë të cilën ata nuk e njohin”, u shpreh Kurti të premten.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për votimin që do të mbahet për shkarkimin ose jo të kryetarëve në katër komunat veriore më 21 prill, proces për të cilin Lista Serbe ka bërë thirrje që të bojkotohet.
Ndryshe nga partia që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kryeministri ka kërkuar nga serbët e veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe theksoi se me dhunë nuk mund të hyhet e as të dilet nga zyrat e Komunës.
“21 prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie e moshe që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ia ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata të cilët mendojnë që nuk kanë qeverisur mirë. Gjithçka duhet me proces ligjor e jo me banda të dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Me banda të dhunshme nuk mundesh me hy në zyre, nuk lejon Policia e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kur serbët e veriut braktisën institucionet qendrore e lokale rreth një vit e gjysmë më parë, thanë se do të kthehen vetëm pasi Kosova të marrë masa për themelimin e Asociacionit.
Këtë të premte janë bërë 11 vjet prej që është nënshkruar marrëveshja, me të cilën Kosova merr obligim ta themelojë këtë mekanizëm. Kryeministri ka shkruar në Facebook se Asociacioni mund të formohet tek pas zbatimit të një numri obligimesh që ka marrë edhe Serbia.
“Nuk mund të flasim e të diskutojmë vetëm për Asociacionin: pa e pranuar dhe pa e respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023); pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike); pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti e ka pranuar në parim përmbajtjen e një draft-statuti për Asociacionin, por ka thënë se atë do ta përcjellë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim vetëm nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pranon ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit.