Arbëri

Kurti pret raport zyrtar për incidentin e Osmanit në Shkup, Mickoski shpreh keqardhje

Albin Kurti Mickoski

E përditësuar në (12:58) – Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, do të ketë një raport zyrtar që do të tregojë me saktësi dhe hollësi se çfarë ka ndodhur. 

Në konferencën e përbashkët me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, nga i cili është pritur në një takim bilateral, Kurti ka thënë se ajo që i ka ndodhur Osmanit ka qenë përjetim e përvojë e rëndë. 

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Vjosa Osmani- Sadriu, më 2 gusht në Aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e saj të vogla, Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në hollësi dhe tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më”, është shprehur Kurti. 

Ai ka thënë se beson që raporti zyrtar do ta zbardhë se çfarë ka ndodhur. 

“Duhet ta synojmë të vërtetën, dhe kurrsesi tensionimin, janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë ... Me çfarë kam dëgjuar sot dhe duke parë komunikatat e qëndrimet zyrtare të dy ministrive tona të Jashtme, jam optimist se situatat e tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen dhe njëkohësisht keqardhja që është shprehur më herët, është përsëritur edhe në këtë takim”, ka deklaruar Kurti. 


Mickoski: Herën tjetër do ta shoqëroj Osmanin në Aeroport për t’i shmangur incidentet e tilla

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit të mbajtur me kryeministrin Albin Kurti të hënën në Shkup, e ka përmendur pengimin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit (TAV).

Mickoski ka thënë se rasti do të ndriçohet nga institucionet kompetente dhe në rast se konstatohen shkelje, askush nuk do të jetë mbi ligjin. 

Në konferencën për media të mbajtur me Kurtin, Mickoski ka thënë se ka kënaqësinë që herën tjetër ta presë Osmanin në TAV dhe ta shoqërojë gjatë kohës sa do ta kalojë brenda hapësirave të aeroportit në mënyrë që të shmangen incidentet e tilla. 

“Ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë deri në momentin kur vjen personi, pjesa e dytë pasi që vjen personi të cilin e theksuat. Nëse institucionet e caktojnë si tejkalim, apo kryerje të veprës penale, ju siguroj që personi i njëjtë do të nxirret para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin derisa jam unë kryeministër. Theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova dhe herën e ardhshme nëse marr informatë në kohë do të kem kënaqësinë ta pres si nikoqir në Aeroportin e Shkupit dhe ta shoqëroj në kohën që do ta kalojë në Aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe veçanërisht sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda në shtetin tonë”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se pavarësisht incidenteve, shtetet kanë raporte të mira bilaterale. 

“Dua ta nënvizoj se marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë rrugë dydrejtimëshe, duam me Kosovën të kemi marrëdhënie të mira dhe të frytshme, si qeveri do ta mbështesim këtë parim. Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, marrëdhëniet e mira bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv”, është shprehur ai. 


Kurti: Kemi marrëdhënie të mira bilaterale me Maqedoninë e Veriut

Ndërkohë Kurti në këtë konferencë ka thënë se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie të mira bilaterale, duke u bazuar në vlera të përbashkëta dhe me synim të qartë për integrim evropian. 

“Ne vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për integrim Në BE dhe urojmë që sa më parë të jetë e mundur t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”, është shprehur Kurti, duke shprehur mirënjohje për kontributin e kontingjentit të Maqedonisë së Veriut në KFOR. 

Ai ka thënë se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ka arritur vlerën e gjysmë miliardi euro. 
“E kemi ngritur shkëmbimin tregtar në një vlerë prej rreth gjysmë miliardi euro dhe në këtë bashkëpunim ka edhe investime reciproke në të dyja vendet dhe ky gjysmë miliardi është në rritje pasi kemi një trend pozitiv”, ka deklaruar Kurti. 

Ai ka thënë se vendet vijojnë të kenë bashkëpunim të mirë edhe në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë


Kurti pritet nga homologu maqedonas Mickoski

Kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski. 

Sipas Kryeministrisë pas takimit Kurti dhe Mickoski do të deklarohen për media.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar. 

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se vizita është dakorduar më 20 korrik. “Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Vizita e Kurtit zhvillohet pak ditë pas incidentit të presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, ku Presidenca tha se iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit. Presidenca kishte reaguar ndaj këtij incidenti. E po ashtu Kosova ka dërguar notë proteste. 

Të hënën Kryeministria ka njoftuar se Kurti në këtë vizitë do të  shoqërohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. 

Sipas njoftimit ai do të pritet nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, me të cilën do të ketë një takim bilateral.

Pas takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri Mickoski do të deklarohen për media.