Arbëri

Kurti premton helikopterë për ushtrinë

Kishnica e Gjilani kanë qenë ndalesa e radhës e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Në Kishnicë banorëve u premtoi investime të reja, e në Gjilan tha se ushtrinë do ta bëjë edhe me helikopterë

Tereni nëpër të cilën do të kalonte kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ishte i përshtatshëm, andaj u desh që të intervenohet. Me lopatë e kripë u tentua që rrugica që çon në Shtëpinë e Kulturës në Kishnicë të Graçanicës, të pastrohet.

Banorëve të këtij fshati, Kurti iu tha se Qeveria që e drejtoi për një mandat ka investuar në disa drejtime. Premtoi edhe investime të reja.

“E në mandatin tjetër do të investojmë në stadiumet e Kishnicës dhe shtëpinë e shëndetit që i mbulon tri fshatra Kishnicë, Shushicën dhe Sharkovcin”, tha ai.

Kurti tha se partisë që e drejton nuk i duhet vetëm fitorja.

“Na duhet një fitore e paparë, rekord, historike në Republikën e Kosovës dhe Kosovën e çliruar”, ka thënë ai.

Nga Kishnica, Kurti e vazhdoi rrugën për në Gjilan, ku e mbajti tubimin qendror të ditës. Para mbështetësve foli për investimet në shëndetësi e sport, e veçmas në ushtri.

“Përveç që po blejmë sistemin Javelin, përveç se kemi blerë drona bayraktar, gjithashtu po blejnë edhe helikopterë luftarakë që do ta mbrojnë Kosovën cep më cep nga çfarë do rreziku”, ka thënë Kurti, në tubimin e mbajtur në palestrën e qytetit.

Kurti ka folur për bashkëpunimin me SHBA-në e vendet e BE-së, por ka thënë se është ushtria ajo që do e mbrojë Kosovën nga Serbia. Ka thënë se këto shtete janë partnere e aleatë që tani Kosovën e mbrojnë nga Rusia, kurse për mbrojtje nga Serbia, tha se “e kemi ushtrinë tonë dhe komandantin Bashkim Jashari”.

Ai dha edhe premtime të tjera. Tha se për Spitalin e Gjilanit janë darë 8 milionë euro derisa për këtë komunë më të rëndësishëm e kanë projektin e Digës së Firajës.

“Pas kësaj nuk do të ketë më vera pa ujë dhe vështirësi për bizneset, fermerët e familjet këtu”, ka thënë Kurti

Gjilanasve ua premtoi sërish Autostradën, të cilën nuk arriti ta përfundojë në mandatin katërvjeçar. Por, dha një arsyetim për këtë.

“Kemi besu që autostrada kryhet dhe jemi angazhu fort që përfundohet, por u desh ma shumë kohë se sa që kemi mëndu, sepse e pamë se sa keq e sa mbrapsht është fillu ajo. Tash që i dimë telashet, e dimë edhe çfarë duhet bërë, autostrada e Gjilanit ka me u bo”, tha Kurti.

Kurti ka treguar se Gjilani do të jetë në mesin e komunave në të cilat do të ndërtohet njëri nga 20 stadiumet e planifikuara në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Edhe nga komuna ku Vetëvendosja udhëheq pushtetin lokal, Kurti dha mesazh për opozitën, për të cilën tha se nuk janë të gjithë të këqij.

“Na kemi qenë gjatë në opozitë, gati nja 20 vjet. Për të qenë në opozitë duhet të kesh edhe ideale, edhe ide e kjo opozitë s’e ka asnjërën”, ka thënë Kurti. “Unë nuk po them që krejt ata që kanë qenë para neve, të gjithë e secili kanë qenë të këqij. Por ata para nesh nëse nuk kanë qenë të këqij kanë qenë zakonisht dembelë e të paditur... Ata i përngjajnë atyre që i kanë përpara miellin, vezët, sheqerin, qumështin, dredhëzat dhe kakaon e thonë: çka po më hahet një torte”.

Aty ka thumbuar edhe prokurorinë, për të cilën ka thënë se është e kapur nga krerët e saj që nuk lejojnë angazhimin e suksesin e prokurorëve të mirë që ka Kosovë.

“Janë bërë persekutues politik. Ata sulmojnë qeverinë, sepse po e mbrojnë vetën, punët e mbrapshta. Me 9 shkurt, 500 mijë zemra kur rrahin porsi një, sjellin jo vetëm kuvend të ri e qeveri të re, por edhe prokurori të re”, ka thënë Kurti.

Reformat në drejtësi që tha se i kanë nisur gjatë mandatin, kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu u zotua se do të jetësohen në mandatin pas zgjedhjeve.

Sipas saj, reformat kanë për qëllim të ndjekin zyrtarët e korruptuar dhe që kanë vjedhur qytetarët.

“Askush që ka përfituar duke shkelur ligjin nuk mund ta fshehë pasurinë që e ka grabitë nga populli. Ajo do t’iu konfiskohet të gjithëve”, ka thënë Haxhiu. “Qeveria jonë është një qeveri që e vendos qytetarin në qendër, që angazhohet për drejtësi dhe barazi dhe që e udhëheq vendin me nder dhe përgjegjësi”.

Lëvizja Vetëvendosje fushatën do ta vazhdojë të dielën, me tubimet kryesore në Shtime dhe Ferizaj.