Arbëri

Kurti premton finalizimin e reformës pensionale mandatin e ardhshëm

Albin Kurti

Foto: Alban Bujari

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në të ardhmen e afërt gjatë mandatit të ardhshëm pritet të finalizohet reforma pensionale, e që sipas tij, do t’u sigurojë trajtim të dinjitetshëm atyre që kanë kontribuar më së shumti.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti përmendi rritjen e pensioneve për 20 për qind, duke thënë se puna për mbështetjen e pensionistëve nga Qeveria e tij nuk përfundon me kaq.

“Kjo javë nisi me lajm të mirë për pensionistët. Puna jonë për rritjen e mbështetjes për pensionistët nuk përfundon me kaq, vazhdon më tej, konkretisht me finalizimin e reformës pensionale e cila do të sigurojë që ata/ato që kanë kontribuar më së shumti të kenë trajtim të dinjitetshëm. Të gjitha këto rritje janë bërë pikërisht për të zbatuat programin tonë... që të ndihmohen ata që kanë nevojë më së shumti e më së pari. Reforma pensionale pritet të finalizohet në një të ardhme të afërt në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Kurti në mbledhje.

Tutje, kryeministri ka përmendur edhe aktivitetet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Forumin e Varshavës si dhe takimet me diasporën.

Kurti ka thënë se sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ishin në Leposaviq për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.

Gjatë mbledhjes, Qeveria njoftoi se ka shpronësuar prona për nevojat e Terminaleve Doganore Hani i Elezit dhe Dheu i Bardhë. Aty u bë e ditur se janë ndarë 58 mijë e 80 euro për pagesën e 22 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal është emëruar sekretar i përgjithshëm Besim Kamberaj.

Pikat e rendit të ditës