Arbëri

Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë e prodhim të dronëve

Në gjysmë të fushatës, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili synon mandatin e tretë qeverisës, ka publikuar zotimet kryesore. Ai ka premtuar 1 miliard euro për ushtrinë dhe prodhimin e dronëve ushtarakë. Është zotuar edhe për njësi të përbashkët ushtarake me Ushtrinë e Shqipërisë

Shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, tha se i mbron një qeveri e cila i shërben popullit me nder e cep më cep.

Në tubimin elektoral në Malishevë, pasditen e së shtunës, Kurti tha se qytetarët e kësaj komune e dinë më së miri dallimin mes emrit UÇK dhe atyre që thirren “në emër të UÇK-së”.

“Shkronjat UÇK janë të shenjta; lindën nga sakrifica dhe flijimi i Jasharëve, u përjetësuan nga heroizmi dhe gjaku i kaq shumë dëshmorëve, dhe nuk janë pronë e asnjë individi, sepse burojnë nga populli dhe i takojnë kombit. Këto shkronja janë të arta, i mbron shteti i fortë e sovran i Kosovës, i mbron ekonomia që rritet e sjell punësim, mirëqenie, progres e dinjitet. I mbrojnë djemtë e vajzat e ushtrisë sonë, i mbrojnë policët e Policisë sonë, i mbrojnë forcat tona të cilat çdo vit po forcohen me trajnime e armatim. I mbron qeveria jonë dhe e juaja, që i shërben popullit me dije, me nder dhe me djersë, në çdo cep të Republikës Demokratike të Kosovës, shtetit tonë të pavarur”, ka thënë Kurti. “E për ata që thirren në emër të UÇK-së besoj që nuk ka nevojë të flasë sonte e mbase jo vetëm sonte”.

Ai theksoi se pret të fitojë mbi 10 mijë vota në Malishevë, ndërsa shfrytëzoi fjalimin për t’i thumbuar edhe opozitarët.

“Në këto zgjedhje parlamentare të Kosovës dikush pragun s’mund e kalon. Malisheva kurrë nuk ka luftu për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag. Malisheva është pjesë e 500 mijë zemrave e fitores është zemra e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Para tubimit në Malishevë, Kurti ka prezantuar edhe zotimet e tij për mandatin katërvjeçar që synon.

Ai ka premtuar buxhet prej 1 miliard eurosh për ushtrinë e edhe prodhimin e dronëve.

“Për ushtrinë tonë, në katër vitet e ardhshme do të ndajmë buxhet mbi 1 miliard euro, do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s. Funksionalizimi i fabrikës së municioneve dhe zhvillimi i industrisë ushtarake të Kosovës është prioritet. Gjatë mandatit të ri do të zhvillojmë dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’. Fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me Shqipërinë dhe me akademitë më të shquara ushtarake në vendet partnere”, ka thënë Kurti, gjatë prezantimit të programit. “Do ta krijojmë njësinë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë e rekrutimi i kadetëve të rinj do të vijojë me ritëm të shtuar. Synojmë që brenda mandatit të ri të kemi 1 mijë gra e vajza ushtarake”.

Ai ka theksuar se programi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse do të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit. Në kuadër të këtij programi, sipas Kurtit, secili rezervist vullnetar do ta ketë trajnimin adekuat si dhe armatimin në rast mobilizimi.

Kurti ka dhënë edhe zotime të tjera programore.

Është zotuar për heqje të taksës doganore prej 10 për qind për veturat nga Bashkimi Evropian, për transport publik të integruar me biletë 10 euro në muaj për të lëvizur në gjithë Kosovën, e për rritje të pagës minimale nga 350 euro në mbi 500 euro.

Spital të ri i ka premtuar Mitrovicës e Ferizajt, ndërsa ngritjen e poliklinikave specialistike në 6 komuna si dhe ndërtimin e rrjetit të laboratorëve klinikë me të gjitha llojet e analizave me kosto të përballueshme.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër ka premtuar rritje të numrit të inspektorëve në 200 sosh, e themelim të Gjykatës për çështje familjare dhe Prokurori të re të specializuar për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka premtuar 100 euro shtesë mbi pensionin bazik për gjyshërit që kujdesen për mbesa e nipër në moshë nga 13 deri në 36 muaj, kur prindërit e tyre punojnë. Po ashtu, edhe bono për prindërit që i dërgojnë fëmijët në çerdhe jopublike.

Është zotuar ta bëjë Kosovën me valutë digjitale dhe ICT Tower.

Gjatë ditës, LVV-ja ka organizuar tubim elektoral edhe në Klinë.

Aty kryeministri që kërkon mandatin e tretë ka thënë se bilanci i qeverisjes matet me gjërat që kanë ndodhur, por qeverisja matet edhe me ngjarjet që nuk kanë ndodhur, me të këqijat që nuk kanë ndodhur e me të cilat ka thënë se krenohet.