Arbëri

Kurti për shpërthimin në Ibër-Lepenc: Sulm terrorist i dirigjuar nga Serbia

Albin Kurti

Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Zyrtarët e Policisë kanë konfirmuar rastin duke thënë se janë duke punuar në ndriçimin e tij, e Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” në njoftimin e saj ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja

Akte terroriste i ka quajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpërthimin në kanalin e sistemit të ujësjellësit Ibër-Lepenci në afërsi të Zubin-Potokut e hedhjen e granatës në Komunën e Zveçanit. Në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur në mesnatë, Kurti ka thënë se sulmi në fshatin Varagë të Zubin-Potokut është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Ky kanal përveçse furnizon me ujë të pijes një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve, dërgon ujë për ftohje të termocentraleve Kosova A e Kosova B. 

Kurti ka thënë se s’ka adresë tjetër për sulme të tilla pos Beogradit zyrtar dhe strukturave kriminale, në krye me Milan Radoiçiqin. 

“Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë Kurti. “Sulmi është kryer nga profesionistë. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara dhe dirigjuara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë, edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe të eksplozivit në nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sipas kryeministrit, qëllimi i tri shpërthimeve në ditët e fundit është nxitja e frikës. “Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë, sundimin e ligjit, rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, ka thënë Kurti.

Kurti ka njoftuar se menjëherë pas konferencës do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. 

Për sulmin në Zubin-Potok ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Tek e ka quajtur akt terrorist shpërthimin, Osmani ka thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe se do të humbin sërish.

“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Fuqishëm e ka dënuar sulmin edhe SHBA-ja e BE-ja. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e plotë të SHBA-së.  

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka shkruar ai.

Shpërthimi i fuqishëm në kanalin e ujit të Ibër Lepencit ka ndodhur të premten mbrëma. në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Siç ka njoftuar Policia, nga shpërthimi është dëmtuar kanali i ujit i sistemit Ibër-Lepenc. 

“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejt ta ndriçojnë rastin”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani për “Kosovapress”. 

E burimet e hetuesisë i kanë thënë KOHËS se shpërthimi dyshohet se ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B. 

Në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) nuk kanë dhënë hollësi mbi pasojat e shpërthimit në operimin normal të saj. Kjo ndërmarrje në njoftimin për medie ka thënë se nuk ka informacione të sakta lidhur me ngjarjen. 

“KEK-u është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, përfshirë Ibër-Lepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet e tjera të përfshira”, thuhet në komunikatën e kësaj ndërmarrjeje. 

Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit. Kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes. 

Ndaj dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit ka reaguar Lista Serbe. Ky subjekt politik ka kërkuar hetim të menjëhershëm nga KFOR-i dhe EULEX-i.

“Lista Serbe dënon ashpër shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc në fshatin Varagë të Komunës së Zubin-Potokut. Ky sulm ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve tanë dhe ka shkaktuar shqetësim për serbët në veri të Kosovës. Duam të theksojmë qartë se ky akt është absolutisht në kundërshtim me interesat e popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ky aksion kriminal ka ndodhur më pak se 24 orë nga hedhja e granatave të dorës në drejtim të objektit të Komunës në Zveçan dhe pak çaste pasi Policia e Kosovës ka njoftuar për rritjen e masave të sigurisë në të gjithë vendin. 

Në njoftimin nga ky institucion u tha se masat janë shtuar me qëllim të sigurisë publike dhe parandalimin e incidenteve të natyrave të ndryshme, jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës.

“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët, pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej në njoftim thuhet se qëllimi i operacioneve policore që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe është siguria e qytetarëve, e pronës së tyre, e pronës publike e asaj institucionale. 

“Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e të vërë para drejtësisë të gjithë ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.

Granata që u hodh në drejtim të godinës komunale të Zveçanit përbën sulmin e dytë brenda një jave. Nga shpërthimi i saj u dëmtuan dyer e dritare si dhe disa vetura që ishin të parkuara pranë saj.

Sulmi ndodhi 15 minuta para mesnatës, rreth 14 orë pas mbajtjes së seancës solemne në nder të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të mbajtur në këtë komunë. 

Përveç dëmeve materiale nuk pati të lënduar derisa të paidentifikuar janë ende personat të cilët e kanë hedhur granatën.

Kryetari i Komunës, Ilir Peci, ka thënë se sulmi është bërë me qëllim të frikësimit të tij dhe të zyrtarëve të tjerë komunalë. 

“Edhe zyrtarët, edhe unë si kryetar Komune jemi të vendosur deri në ditën e fundit të mandatit tonë t’i vazhdojmë procedurat pa marrë parasysh kërcënimet e sulmet, ne jemi të gatshëm të punojmë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit”, ka deklaruar ai.

Sipas Pecit, sulmi me granatë ndaj komunës nuk lidhet me seancën solemne, pasi siç thotë ai, sulmet e tilla janë pothuajse të vazhdueshme në Zveçan.

“Para dy muajsh ka ndodhur me një bombë në pompën këtu në Zveçan, para dy ditësh në stacionin policor dhe mbrëmë këtu në objektin e Komunës”, ka thënë ai.

“Pas sulmeve qëndron Serbia”

Zveçani dhe tri komunat e tjera të veriut udhëhiqen nga përfaqësues të partive politike shqiptare që fituan në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët. Popullata shumicë nuk ua njeh legjitimitetin, e grupe të organizuara disa herë kanë organizuar protesta të dhunshme e edhe kanë sulmuar institucionet.

Policia është duke e trajtuar edhe rastin e fundit të sulmit me bombë. Zëvendësdrejtori Veton Elshani ka bërë të ditur se në kohën e sulmit në Komunë dhe pranë saj ka pasur edhe zyrtarë policorë. 

“Policia është duke punuar në drejtim të ndriçimit të rastit, deri tani nuk mund të themi diçka tjetër përpos asaj që jemi seriozisht duke u marrë me ta… Janë veprime policore hetimore që zhvillohen lidhur me këtë rast, sikurse me çdo rast tjetër”.

Ky është sulmi i dytë me granata dore në Zveçan, brenda kësaj jave. Tri ditë më parë, nga persona ende të paidentifikuar, dy granata të tilla janë hedhur në oborrin e stacionit policor në këtë komunë. Elshani nuk hedh poshtë mundësinë e sulmeve të tjera të ngjashme. 

“Në fakt nuk është diçka që ne nuk e kemi paraparë, se ka mundësi të ndodhë diçka e tillë, sikurse kjo që ka ndodhur tash. Ka mundësi të ndodhin edhe rastet e tjera. Sidoqoftë, Policia është me rëndësi se çfarë veprime ndërmerr në lidhje me këto raste”, ka thënë ai.

E kryetari Peci konsideron se pas sulmit qëndron Serbia, e cila ka ndikim mbi grupe ilegale që veprojnë në veri. 

“Unë jam shumë i vetëdijshëm që këtu janë të gjitha grupet kriminale serbe që drejtpërdrejt menaxhohen nga Serbia dhe arsyeja tjetër, në komunën tonë janë gjetur të gjitha vulat e katër komunave, gjithçka ka filluar dhe mbaruar nga kjo komunë”, ka thënë ai.

Qeveria thotë se është e vendosur për t’u përballur me sulme kriminale e terroriste

Kryeministri Albin Kurti e ministrat Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi kanë dënuar sulmin e një nate më parë në Zveçan. Sipas tyre, qëllimi i tij ka qenë ndjellja e frikës te qytetarët derisa është thënë se është bërë nga pafuqia e dëshpërimi i grupeve kriminale.

Sulmet e fundit në Zveçan, sipas kryeministrit Kurti janë shprehje e pafuqisë së grupeve kriminale në veri. Kurti tha se sulmet e tilla kanë qëllim frikësimin e qytetarëve. 

“Besoj që këto janë shprehje edhe të pafuqisë së tyre, ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash më në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukturë që është më i fuqishëm sesa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike, e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejtë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se nuk ka burime të brendshme të destabilitetit potencial apo kërcënimit të sigurisë, të cilat nuk i menaxhojnë.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka dënuar sulmin e 28 nëntorit, ka thënë se koha e pandëshkueshmërisë e amnistisë ndaj bandave kriminale ka marrë fund. 

“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sulmin e vlerësoi kriminal e qyqar. 

“Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim. Sulmet e tilla nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Krasniqi.

Sulmi është dënuar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e së cilës është kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Në reagimin e PDK-së thuhet se aktet e tilla të dhunës nuk kanë vend në shoqëri dhe se sulmi është bërë me qëllim të frikësimit të kryetarit Peci e ekipit të tij.

“Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen. Ne u bëjmë thirrje organeve të rendit dhe sistemit të drejtësisë që ta hetojnë me urgjencë këtë rast, t’i identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para drejtësisë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë duhet të mbeten përparësi e lartë, dhe pandëshkueshmëria për akte të tilla nuk mund të tolerohet”, thuhet në reagim.

Kjo parti ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që t’u ofrojnë mbrojtje e të garantojnë sigurinë e kryetarit të komunës dhe zyrtarëve të tjerë komunalë.

Në Zveçan vitin e shkuar është mbajtur njëra nga protestat më të dhunshme në veri në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve në ndërtesat komunale. Nga dhuna e protestuesve patën pësuar edhe rreth 90 ushtarë të KFOR-it.

Haradinaj i quan filma zhvillimet në veri

Kryetari i AAK-së nuk ka kritikuar grupet kriminale serbe për shpërthimin në rrjetin e Ibër Lepencit, por politikën e Qeverisë së Kosovës. Në reagimin e tij ka thënë se Qeveria ka manifestuar politikë të gabuar në veri. 

“Shpërthimi i sotshëm në Ibër si edhe shpërthimi i mëparshëm në Zubin-Potok manifeston mungesën e qasjes proaktive të Qeverisë së Kosovës dhe është pasojë e një politike krejt të gabuar të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pjesë të Kosovës. Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe prezencën amerikane! Naiviteti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të Qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës. Mjaft më me filma!”, ka shkruar Haradinaj.