Thirrje për qytetarët e sistemin e drejtësisë ka pasur kryeministri Albin Kurti. Në hyrjen e mbledhjes së Qeverisë ai kërkoi nga qytetarët që t`iu përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë që nis të premten e përmes këtij procesi të evidentojnë dëmet të cilat u janë shkaktuar nga lufta. E sistemit të drejtësisë i ka kërkuar që të trajtojë me urgjencë krimet e luftës, pasi tha se me kalimin e viteve janë duke humbur dëshmitarët e tyre.
Dëmet e luftës synohet të evidentohen edhe përmes regjistrimit të popullsisë që do të nisë të premten.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të martën, se krahas shpërputhjes së të dhënave nga burimet e ndryshme për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, ka edhe mungesë të tyre.
Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ai ka thënë përfshirja e pyetjeve për dëmet e luftës do të mundësojë që institucionet të kenë të dhëna për atë që ka ndodhur.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.
“Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, shumat e pronave të shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, të zhdukur, të plagosur apo të burgosur. Më saktësisht kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998, pra Qirezi e Likoshani deri më 12 qershor 1999, pra fillimi i tërheqjes së trupave të Serbisë nga Kosova sipas Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake të Kumanovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, pos të dhënave për të tashmen regjistrimi do të sigurojë edhe evidencë të së kaluarës.
“Ky regjistrim, që fillon të premten, më 5 prill, përveçse do të na japë një pasqyrë të së tashmes, gjithashtu do të na sigurojë një evidencë të së kaluarës, që të mos kemi të dhëna të ndryshme për faktet e njëjta dhe gjithashtu të mos kemi mungesë të të dhënave për ato që i dimë, sepse i kemi jetuar, përjetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë më së shumti edhe sot e kësaj dite”, ka shtuar ai.
E trajtimin me urgjencë të adresimit të krimeve të luftës, Kurti e kërkoi nga sistemi i drejtësisë.
“Po e ritheksojmë, këto krime nuk vjetrohen, mirëpo dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar dhe besoni në shumë prej këtyre varrezave, ku janë martirët e dëshmorët e kombit, po bashkëngjiten edhe varret e të mbijetuarve, të cilët në këto vitet e fundit kanë ndërruar jetë. Andaj, është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, mirëpo jemi duke i humbur dëshmitarët, sepse u bë çerek shekulli nga lufta e fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurti ka përmendur ndryshimet e bëra ligjore në mënyrë që të rriten kapacitete e institucioneve për adresimin efikas të krimeve të kryera gjatë luftës. Ka thënë se kanë rritur numrin e hetuesve për trajtimin e krimeve të luftës.
“Në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektorë në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda, me gjithsej 19 zyrtarë. Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e vendit tonë, e kemi ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues. Pra, më shumë se qind për qind ngritje e zyrtarëve përkatës. Përderisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë, me rritjen e numrit të hetuesve, vetëm në këta muaj të parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit.
Në mesin e vendimeve që u miratuan të martën, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ishte edhe ndarja e 4 milionë eurove për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në veri.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ndarja e mjeteve është vazhdimësi e mbështetjes që kanë për komunitetet e që në kuadër të saj deri më tash janë ndërtuar 57 shtëpi.
Krasniqi në konferencën për media, pas mbledhjes, është shprehur se ditëve në vijim do të përcaktohen kriteret për subvencionimin si dhe madhësia e shtëpive që do të ndërtohen.
“Thirrja do të bëhet publike shumë shpejt dhe do të bëhet ndërtimi i shtëpive për personat të cilët nuk kanë pasur mundësi që të ndërtojnë shtëpi dhe të cilët janë të zhvendosur ose nuk kanë shtëpi që të jetojnë në veri të vendit”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, zv.ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Daulina Osmani, ka njoftuar për programin për mbështetjen e sportistëve gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë. Sipas saj, me këtë program që për katër vjet ka shumën prej 4 milionë eurosh, mes tjerash synohet rritja e numrit të sportistëve që fitojnë çmime në arenën ndërkombëtare.
“Ky program i dedikohet mbështetjes së tyre përgjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit, do të thotë përgjatë karrierës së tyre. Programi do të identifikojë dhe do të përzgjedhë top talentet që i kemi dhe do të ndihmojë dhe lehtësojë zhvillimin e tyre drejt medaljeve drejt garave elitare ndërkombëtare. Synimet e programit janë rritja e numrit të sporteve me rezultate elitare në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht rritja e numrit të medaljeve të Kosovës në gara të ndryshme siç janë lojërat olimpike verore e dimorore, kampionatet botërore evropiane, lojërat mesdhetare si dhe të gjitha garat e tjera ndërkombëtare elitare që u dedikohen grupmoshave. Programi ka afat prej 12 vjetësh”, ka thënë ajo.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar urgjente çështjen e adresimit të krimeve të luftës në Kosovë, duke thënë se për krimet e Serbisë janë duke humbur dëshmitarët.
“Krimet nuk vjetërsohen, por dëshmitarët po janë më të moshuar. Besoni që në shumë prej varrezave ku janë martirët e dëshmorët e kombit, po bashkëngjiten edhe varret e të mbijetuarve që në vitet e fundit kanë ndërruar jetë. Andaj është çështje urgjente adresimi i krimeve të luftës sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, por jemi duke i humbur dëshmitarët sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të martën.
Deklarimin ai e bëri pasi përmendi listën e gjatë të masakrave që këtë muaj kanë përvjetorin e 25-të. Ai ka thënë se Qeveria e tij ka shtuar mbështetjen për familjet që kanë humbur më të afërmit e ka rritur mbështetjen për të dokumentuar me saktësi krimet.
Kurti po ashtu ka thënë se në pyetësorin për regjistrimin e popullsisë që nis këtë të premte ndër pyetjet do të jetë edhe çështja e dëmeve të pësuara gjatë luftës.
Ai ka thënë se në vitin 2023 janë intervistuar 191 dëshmitarë të krimeve të luftës, ndërsa vetëm sivjet deri tash janë intervistuar 169.