Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, që të mos dalë në punë më 10 shkurt, një ditë pas ditës së zgjedhjeve në të cilat Kurti beson se do t`i fitojë mbi 500 mijë vota. Kurti ka thënë se prokuroria është bërë si parti e do të mbetet në opozitë sikurse edhe subjektet e tjera opozitare.
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është zotuar se do të merret personalisht me ecurinë e punëve në autostradën e Gjilanit e stadiumit të këtij qyteti.
Kurti në tubimin zgjedhor në Gjilan, të hënën, ka thënë se do të angazhohet që këto dy projekte të përfundojnë sa më shpejtë e si është më së miri.
“Autostrada e Gjilanit do të bëhet, autostradën do ta bëjmë dhe atë jo vetëm deri në Gjilan por deri te Dheu i Bardhë. Stadiumin e Gjilanit gjithashtu do ta përfundojmë. Janë përpjekur në mënyra të ndryshme të na ndalin por nuk do të mund të na ndalin. Ne ecim ata ngecin, ne fitojmë, stadiumi i Gjilanit do të bëhet. Unë zotohem para juve këtu që personalisht do ta krijojë një grup pune që të sigurohem që do të mbikëqyren në hollësi e deri në fund që Autostrada e Gjilanit dhe Stadium i Qytetit të përfundojnë sa më parë që është e mundur e si është më së miri”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër, ka thënë po ashtu se edhe në mandatin e ri që e synon do të vazhdojë që rritjen ekonomike ta shpërndajë për mbështetje sociale.
“Kjo qeveri është qeveri për familjet, për familjet e Kosovës jo qeveri për familjet e ministrave apo të kryeministrit qysh ka qenë dikur e ata ish-ish-ish qeveritarët e të gjitha llojeve e ngjyrave që kanë shkuar për të mos u kthyer më e kurrë mos u kthefshin”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes.
Sipas tij, për katër vjet në Kosovë nuk ka asnjë familje që nuk është mbështetur nga qeveria e udhëhequr nga ai në një mënyrë apo tjetër.
“Këtë e kemi bërë cep më cep pa diskriminuar”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka thënë se më së shumti, qysh në vitin e parë të qeverisjes, janë mbështetur nënat lehona e janë ndarë shtesa për fëmijët.
“Kemi rritur numrin e çerdheve në krejt Kosovën ua kemi hequr pagesën e semestrit për student, as në bachelor as në master nuk paguajnë. Dhe e kemi programin super puna për të rinjtë. Super punën për të rinjtë do ta vazhdojmë e madje do ta kemi edhe atë për gratë”, ka vijuar më tej Kurti, në fjalën e tij para pjesëmarrësve në tubimin zgjedhor në Gjilan, të dytin me radhë që nga nisja e fushatës më 11 janar.
Me të siguruar fitoren që synon, pretendenti për kryeministër Albin Kurti, ka bërë edhe thirrje që prokuroria e shtetit të mos dalë në punë.
“Më 10 shkurt s`ka pse del në punë se s`janë tu bo punë. Le të rrinë në shpi e ne do ta kemi gjyqësorin e ri me kompetencë, profesionalizëm, devotshmëri, urtësi, efikasitet e patriotizëm e jo më kësi prokurorësh që Milan Radojçiqin ja heqin fletarrestin e ndjekin Rozeta Hajdarin”, ka deklaruar Kurti.
Duke iu referuar prokurorisë, ka thënë se si parti opozitare që është bërë, do t`i humb zgjedhjet e 9 shkurtit së bashku me partitë e tjera.
“Ju po e shihni që fatkeqësisht prokuroria e shtetit është shndërruar në një parti politike opozitare por edhe ata kanë me o humb zgjedhjet me 9 shkurt. Sikur partitë e tjera opozitare edhe prokuroria e shtetit që është bërë si parti politike opozitare ka me u humb zgjedhjet më 9 shkurt. Por a e dini çka, pas 9 shkurti ata nuk do të kenë as deputet në Kuvend qysh mundet me i pasë naj parti opozitare nëse ka fat me kalu pragun”, ka thënë ai.
Paraprakisht, Kurti në Gjilan ka prezantuar disa nga kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nga ky vend.
Gjilanasve u ka bërë thirrje që të dalin për të votuar. Ka thënë se fitorja më 9 shkurt është e numrit 118 të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Me numrin 118 i fitoni 4 vjet mirëqenie, dinjitet e integritet e me numrat tjerë s`keni pse humbni kohë. Këta numrat e tjerë janë e kaluara që s`duhet të kthehet ndërkaq numri 118 është e tashmja që duhet të avancohet në të ardhme të sigurt e të ndritshme”, është shprehur Kurti, kandidat i partisë në pushtet për kryeministër.
Lëvizja Vetëvendosje aktivitetet elektorale të martën do t’i vazhdojë në Podujevë.