Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar hap të rëndësishëm drejt integrimit të serbëve, konvertimin e patentë-shoferëve nga ato ilegale në zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në afatin për regjistrimin e tyre, që nisi më 9 maj, 6509 persona konvertuan patentë-shoferët ilegalë të lëshuar nga Serbia në ato RKS.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se kjo periudhë ka kaluar pa asnjë incident a ankesë.
“Qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti. I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces”, ka shkruar ai në Facebook.
Nisur nga java e ardhshme, më nuk do të lejohet ngasja e automjeteve me dokument jovalid, ka bërë të ditur zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’ua lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS, pa pasur nevojë që t’u nënshtrohen provimit.
Vendimi i Qeverisë dhe i Ministrisë për t’u mundësuar serbëve lehtësira për pajisje me patentë shoferë të Kosovës ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.
Konvertimit të patentë shoferëve të Serbisë me ato të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të automjeteve nga targat ilegale serbe me akronime të qyteteve të Kosovës në ato RKS.
Çështja e riregjistrimit të automjeteve në fund të vitit 2022 ishte bërë shkak i një sërë krizash në veri të Kosovës, përfshirë largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, protestat, barrikadat dhe bojkotin e zgjedhjeve. Krizat kulmuan me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh më 24 shtator të vitit të shkuar në Zveçan.