Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.
“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit”, ka thënë Kurti, në një deklaratë për media, pas përurimit të renovimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, raporton EO.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, t’u hiqen vizat sikurse të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, vendimi pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente.
Rregullorja hyn në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Më 16 nëntor 2023, Komisioni publikoi një propozim për të hequr këtë përjashtim. Amendamenti i rregullores përkatëse u miratua nga Parlamenti i mëparshëm Evropian gjatë seancës plenare përfundimtare në prill të këtij viti.
Kurti për Faton Hajrizin: S’kam nevojë ta bëj edhe punën e ministrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse dinë zyrtarisht mbi Faton Hajrizin që dyshohet se u vra në Serbi, por ai ka thënë se dy ministritë e qeverisë po e trajtojnë këtë çështje.
“Dy ministritë tona, e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë çështje, nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, Ministria e Punëve të Jashtme dje ka njoftuar që janë njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
“Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’iu mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim./Ksp